Arbëri

Pandemia lë fshatrat e Lipjanit “pa zë”

Që nga marsi i vitit të kaluar si pasojë e përhapjes së pandemisë, me një vendim të Komunës së Lipjanit është ndërprerë procesi për zgjedhjen e këshillave dhe përfaqësuesve të fshatrave.
Organizata joqeveritare “YAHR”, e cila ka monitoruar këtë proces, ka kërkuar nga Komuna që të angazhohet për ta përfunduar atë.

Kjo organizatë thekson se këshillat e fshatrave kanë një rëndësi të veçantë për adresimin e kërkesave të qytetarëve në institucionet publike.

“Organizata jonë gjatë vitit të kaluar e ka përkrahur nisjen e procesit për zgjedhjen e këshillave të fshatrave dhe procesi pati vazhduar mirë duke u zgjedhur 18 këshilla, mirëpo për shkak të pandemisë është ndërprerë. Duke e parë se ky proces është zvarritur dhe ka kaluar prej më shumë se një vit, ne kërkojmë që ky proces të vazhdojë. Rëndësia e formimit të këshillave të fshatrave është shumë domethënës për qytetarët, sepse është njëfarë forme apo mekanizëm, i cili ua mundëson qytetarëve që të adresojnë problemet dhe shqetësimet e tyre për t’u zgjedhur tek institucionet lokale në Lipjan”, ka deklaruar Bekim Krasniqi nga OJQ YAHR.

Këshilli në detyrë i fshatit Shalë ka deponuar një kërkesë në komunë për të kërkuar që ky proces të vazhdojë pasi që në Kosovë po organizohen fushata zgjedhore e tubime me qindra qytetarë pjesëmarrës.

”Këshilli në detyrë i fshatit Shalë konsideron se stërzgjatja e vendimit të komisionit për pezullimin e përkohshëm të aktiviteteve për mbajtjen e zgjedhjeve të këshillit të fshatit tonë, për arsyet e cekura në vendim, nuk justifikohet. Kjo për faktin se në vendin tonë po organizohen dhe po mbahen zgjedhje qendrore, lokale dhe po organizohen zgjedhje të strukturave të subjekteve politike, ku marrin pjesë me qindra e mijëra qytetarë”, thuhet në kërkesën e Këshillit të Shalës.

Hyra Bytyqi, Kryesuese e Komisionit për zgjedhjen e kryetarëve dhe këshillave të fshatrave në Komunën e Lipjanit, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, ka thënë për KOHËN se procesi në këtë kohë mund të hasë në telashe.

“Arsyeja pse nuk kemi filluar ende me zgjedhjen e këshillave të fshatrave në komunën e Lipjanit, është sepse Ligji për pandeminë ndalon tubimet publike dhe ne nuk mund t’ua mohojmë qytetarëve pjesëmarrjen, nëse thërrasim tubime me qytetarë për zgjedhjen e këshillave të fshatrave dhe atyre urbane nuk mund t’u themi të jenë prezentë pastaj vetëm 50 persona. Nuk mund t’i seleksionojmë se kush duhet të marrë pjesë e kush jo në tubime”, ka thënë Bytyqi.

Nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, Komuna e Lipjanit ka njoftuar se si pasojë e pandemisë, procesi për zgjedhjen e këshillave të fshatrave ka mbetur në gjysmë, ndërkohë pas lehtësimit të masave ky proces do të rifillojë.

“Në momentin që ndryshon situata me pandeminë dhe rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Institutit, ne jemi të gatshëm të vazhdojmë me zgjedhjen e kryetarëve të fshatrave që kanë mbetur pa u zgjedhur, ku do të procedohet një orar i ri dhe do të bëhen njoftime me kohë që të jenë të informuar qytetarët rreth këtij procesi”, thuhet në përgjigjen e Komunës.