Kosovë

Prizreni miraton huamarrjen nga BERZH-i

 

Përpjekja e dytë për aprovimin e vendimit për autorizimin e huamarrjes nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka rezultuar e suksesshme në Kuvendin e Komunës së Prizrenit. Në seancën e jashtëzakonshme të këtij organi komunal, me ndihmën e një pjese të opozitës i është dhënë drita e gjelbër marrjes së kredisë nga BERZH-i, me të cilën parashihet financimi i efiçiencës së energjisë në 100 ndërtesa në pronësi komunale. Edhe këtë herë ka pasur përplasje ndërmjet Ekzekutivit e opozitës, gjë që ka detyruar një pjesë të anëtarëve të KK-së që të largohen nga salla e mbledhjes. Megjithatë shumica e këshilltarëve, përkatësisht 23 sosh kanë qëndruar në sallë, duke mundësuar vendimmarrjen për këtë çështje.

Në hapje të seancës së jashtëzakonshme zyrtarët lokalë kanë shpjeguar se si pos kredisë në vlerë prej 5 milionë eurove, Komuna nga BERZH-i përfiton edhe grantin prej 1 milionë eurove për rinovimin e efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike.