Kosovë

Podujeva synon t’i mbrojë të drejtat e fëmijëve me rregullore

 

Komunarët e Podujevës po synojnë që nëpërmjet një rregulloreje t’i mbrojnë dhe avancojnë të drejtat e fëmijëve. Në këtë dokument, që është vënë në dëgjim publik, flitet edhe për sigurinë e fëmijëve, shëndetin, edukimin, zhvillimin e fëmijëve, etj.

“Me këtë rregullore përcaktohen rregullat dhe procedurat për përkujdesjen dhe mbrojtjen e fëmijës, në zbatim të Ligjit për mbrojtjen e fëmijës dhe kompetencave vetanake të Komunës së Podujevës, me qëllim të: mbrojtjes së fëmijës nga të gjitha format e dhunës fizike dhe mendore, abuzimit, keqpërdorimit, shfrytëzimit, neglizhimit apo ndonjë forma tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës”, thuhet në nenin 1 që flet për qëllimin të propozim-rregullores për përkujdesjen dhe mbrojtjen e fëmijës. “Përcaktimi i detyrave dhe përgjegjësive të subjekteve për mbrojtjen e fëmijës, si dhe mënyrës së koordinimit, raportimit dhe bashkëpunimit të tyre me qëllim të kontributit në sistemin për mbrojtjen e fëmijës, si dhe; kontributit në krijimin e një komunë mike për fëmijë”.