Kosovë

Prizreni hap shqyrtimin publik për propozim-rregulloren për taksa e tarifa komunale

Prizreni hap shqyrtimin publik për propozim-rregulloren për taksa e tarifa komunale
 

Prizren, 2 mars – Komuna e Prizrenit ka hapur shqyrtimin publik për Rregulloren e re për taksa dhe tarifa komunale. Konsultimi me publikun do të realizohet kryesisht në distancë. Sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit me këtë Propozim-Rregullore synohet thjeshtimi i procedurave administrative për qytetarët dhe bizneset, respektivisht heqja e taksës vjetore për ushtrimin e veprimtarisë afariste për të gjitha kategoritë e bizneseve; pezullimi i të gjitha procedurave të cilat nuk kanë bazë ligjore; si dhe ulja e tarifave të procedurave të ndryshme administrative.

“Komuna e Prizrenit fton qytetarët, sektorin publik dhe privat, ekspertët dhe të gjithë të interesuarit që të marrin pjesë në procesin e Shqyrtimit Publik të Draft Rregullores së Re për Taksa dhe Tarifa Komunale, përmes së cilës synohet thjeshtëzimi i procedurave administrative për qytetarë dhe biznese”, thuhet në njoftimin e Komunës, ku sqarohet se shqyrtimi publik do të jetë i hapur deri më datën 15 mars. Njëkohësisht është theksuar se komentet mund të ofrohen përmes postës elektronike, platformës digjitale për konsultime publike, si dhe me shkrim. “Ndërkaq, duke respektuar masat për mbrojtje nga COVID-19, gjatë kësaj periudhe, do të organizohen edhe fokus grupe me përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë civile dhe bizneseve”, thuhet në njoftim, teksa shtohet se qëllimi i organizimit të shqyrtimit publik është ngritja e cilësisë së Propozim-Rregullores për Taksa dhe Tarifa Komunale, para dorëzimit për miratim në Kuvendin e Komunës.