Ekzekutivi i Podujevës e ka akuzuar ish-pushtetin e kësaj komune se nuk ka marrë pëlqim nga pronarët e tokave private nëpër të cilat ka kaluar gypi i kolektorit kryesor që është duke u ndërtuar me kredi të butë nga Austria.
Zëdhënësi i Komunës, Fatri Zhitia, thotë se përveç kësaj ky projekt ka edhe mangësi të tjera. Megjithatë, prej tetorit të vitit 2019 kur ka filluar të realizohet ky projekt, Zhitia thotë se janë kryer 11613 m, nga 14465 m sa janë në total.
“Tash nuk është duke u punuar për shkak të kushteve atmosferike si dhe disa problemeve pronësore. Fatkeqësisht ky projekt ka shumë mangësi, pasi projektimi i këtij kolektori është kryer para disa viteve dhe nuk përputhet me situatën në terren, pasi tashmë veç kemi zgjerim të korsive në rrugën Podujevë- Prishtinë, ku është paraparë të kalojë kolektori”, ka theksuar Fatri Zhitia.
Zëdhënësi i Komunës së Podujevës ka thënë se ky projekt ka devijime nga projekti fillestar për shkak të mosplanifikimit të mirë duke krijuar kështu vështirësi në realizimin e tij dhe duke e rritur koston e projektit, sidomos te pjesa e shpronësimit, pasi siç thotë ai, Komuna nuk ka marrë pëlqime të shpronësimit nga banorët më parë.
“Ne kemi zhvilluar 2 takime me kompaninë Ostap, ku jemi njoftuar për së afërmi lidhur me ecurinë e punimeve të deritanishme dhe arsyet e ngecjeve të këtij projekti. Komuna është duke e analizuar hollësisht projektin dhe në bazë të gjetjeve dhe analizave do marrë vendimin, i cili do jetë në të mirë të qytetarëve të Komunës”, ka thënë Zhitia.
Në anën tjetër, ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka thënë se projekti është bërë nga kompania austriake dhe jo nga zyrtarët komunalë
“Ata (ekzekutivi komunal v.j.) qenkan më ekspertë se kompania që e ka bërë projektin. Me pasë asi ekspertë ne e kishim bërë vetë projektin, por e ka bërë një kompani me famë. Projekti është bërë nga kompania, ndërsa komuna i ka ndihmuar me koordinata. Por projekti është i kompanisë dhe nuk është bërë prej zyrtarëve komunalë. Nuk ka kapacitete komuna me bë asi projektesh. As atëherë nuk ka pas, e tash edhe më pak ka”, ka thënë Nexhmi Rudari.
Gjatë realizimit të këtij projekti ka pasur raste kur pronarët e tokave nuk e kanë lejuar vendosjen e gypave, pasi zyrtarët komunalë u kanë thënë se nuk mund të ndërtojnë shtëpi aty.
Por, Rudari thotë të mos kenë pasur asnjë kërkesë prej banorëve me shkrim për kompensim.
“Unë e di që ka pasë marrëveshje, ka pasë negociata, por kërkesë me shkrim për kompensim nuk ka pasë, sepse gypat janë vendosur në thellësi 3 metra, që pronarët nuk i pengon asgjë. Afër gypave nuk është problem (ndërtimi v.j.), as atëherë nuk ka qenë problem, ndërsa mbi gyp normal që është problem ndërtimi. As mbi gypa të kanalizimit, as mbi gypa të ujësjellësit, as mbi gypa të kolektorit nuk është e lejuar ndërtimi i objekteve”, ka theksuar ish- ushtruesi i detyrës së kryetarit të Podujevës.
Ai thotë se nuk ka pasur asnjë informatë se ka pasur ndonjë pengesë nga qytetarët për realizimin e këtij projekti.
“Pra nuk kam pas prej inxhinierëve tanë një pengesë të tillë, kryesisht janë marrë ata vetë me negociata dhe kur ua kanë sqaruar rëndësinë e projektit, sipas të gjitha gjasave shumica absolute janë pajtuar që të vendosen gypat, ndoshta ndonjë rast. Po, asnjë kërkesë me shkrim nuk e kam pas në komunë prej asnjë pronari që t’i kompensohet, se ajo pronë nuk është marrë në pronësi të komunës, ose të kompanisë. Veç është vendos gypi edhe është kthyer në gjendjen paraprake”, ka thënë Rudari.
Projekti për ndërtimin e kolektorit kryesor të ujërave të zeza në Komunën e Podujevës, në vlerë prej 5.3 milionë eurosh, realizohet përmes Soft Loan kredi, kurse implementimi bëhet përmes Klauzolës për Investime, sipas Marrëveshjes për bashkëpunim financiar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Austrisë.
Në një njoftim të Komunës së Podujevës të datës 2 tetor 2019, thuhet se ka filluar ndërtimi i këtij kolektori.
“Kanë nisur punimet për ndërtimin e kolektorit kryesor për grumbullimin e ujërave të zeza në Podujevë, projekt ky që po realizohet përmes kredisë së butë. Në ceremoninë solemne të fillimit të punimeve, në Lluzhan, ishin të pranishëm kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe Christoph Gierlinger - drejtor i kompanisë austriake ÖSTAP, e cila është mbikëqyrëse e realizimit të projektit, të hartuar nga kjo kompani”, thuhet në njoftimin e Komunës së Podujevës të vitit 2019.
Sipas të njëjtit, ish-kryetari Veliu e kishte quajtur këtë projekt të rëndësishëm në mbrojtjen e ambientit.
“Sot bashkë me drejtorin e kompanisë austriake ÖSTAP, Christoph Gierlinger, solemnisht filluam punimet për ndërtimin e kolektorit kryesor për grumbullimin e ujërave të zeza. Ky është projekti më i madh dhe më i rëndësishëm për mbrojtjen e ambientit që po realizohet në komunën e Podujevës. Me realizimin e këtij projekti, lumenjtë do të mbrohen nga ujërat e zeza. Ndërsa, projekti tjetër i radhës do të jetë ndërtimi i një impianti-fabrike për përpunimin e këtyre ujërave të zeza”, kishte thënë ai.