Arbëri

Dilema të shumta lidhur me projektin për hidrocentralin me digë në Drinin e Bardhë

Dilema të shumta lidhur me planin për ndërtimin e një hidrocentrali me digë në Drinin e Bardhë janë shpalosur të enjten nga banorët e fshatrave përreth, aktivistët mjedisorë dhe politikë.

Në debatin publik të mbajtur në fshatin Dobrusht të Prizrenit për raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis për ndërtimin e këtij hidrocentrali, krahas shqetësimeve për mjedisin janë adresuar edhe brenga lidhur me përfitimet e komunitetit, pengesat eventuale në zhvillimin e turizmit, sikurse edhe shkeljen eventuale të marrëveshjeve ndërshtetërore.

Gjatë prezantimit të raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis është thënë se diga pritet të ndërtohet në pjesën e ngushtë të lumit dhe se zbatimi i projektit nuk do të ketë pasoja negative të mëdha në mjedisin e zonës.

Por disa prej konstatimeve të raportit janë kontestuar nga aktivistët mjedisorë që kanë shprehur shqetësim edhe për qasjen e Ministrisë së Mjedisit lidhur me këtë projekt.

Ndërkaq banorët e fshatrave përreth kanë theksuar se pa transparencë të plotë për projektin, nuk mund të ketë zbatim të tij. Krahas çështjeve mjedisore, sipas tyre duhet të sqarohet edhe fizibiliteti i projektit, sikurse të ketë edhe program të duhur të shpronësimit.

Ndërsa aktivistët politikë nga radhët e LVV-së u kanë bërë thirrje banorëve që ta ruajnë mjedisin dhe lumin nga hidrocentralet, ngase shembujt e zonave tjera kanë treguar se ka dëme e nuk ka zhvillim.

Në anën tjetër investitori ka shprehur pakënaqësinë me tërheqjen e paraleleve me hidrocentralet në zonat tjera, duke theksuar se në këtë zonë planifikohet që të aplikohet një model tjetër, përkatësisht hidrocentrali me digë. Por sipas tyre nëse ka kundërshti nga komuniteti lidhur me këtë projekt, atëherë edhe ata janë të gatshëm që të tërhiqen nga investimi.