Arbëri

Policia mban ligjërata kundër drogës në shkollat e Podujevës

Zyrtarë policorë të Kosovës kanë filluar ciklin e ligjëratave nëpër shkollat Komunës së Podujevës kundër përdorimit të drogave.

Të enjten janë ndalur në shkollën fillore “Shaban Shala” në qytet. Instruktor në sekrorin e dhunës në familje DPBP, Hysen Thaçi, u ka folur nxënësve të klasave të nënta të kësaj shkolle për llojet e drogave, për efektet dhe trajtimin e atyre që mund të kenë qenë vartës të këtyre substancave. Gjatë ligjëratës, ai ka thënë se është në rritje numri i përdoruesve të drogave, sidomos te të rinjtë.

Duke folur për efektet fizike e shëndetësore, instruktori policor ka thënë se drogat dëmtojnë shëndetin psiko-fizik.

“E kemi ekstazinë, që është e rrezikshme dhe mund të vendoset edhe në pije. Kjo po ndodh zakonisht kur po shkojnë në shëtitje në Shqipëri. Pra është rrezik se mund të bini pre pa e ditur fare. Në fillim përdoruesit është më lehtë të shërohen, nëse vonohet, atëherë është më vështirë të shërohet”, ka theksuar Hysen Thaçi.

Ai u ka folur nxënësve edhe për efektet juridike që i pësojnë përdoruesit e drogave. Sipas Kodit penal të Kosovës, Thaçi ka thënë se pasojat juridike i bart që prej atij që e përdor, pastaj atij që e mbjell, e transporton, e shet etj.

Instruktori policor u ka thënë të rinjve gjithashtu edhe për problemet që mund t’i bartin përdoruesit e drogave në udhëtime jashtë vendit, në shkollim, punësim, problemet familjare, shoqërore, etj.

Nxënësit kanë qenë të interesuar të dinë nëse ka shërim nga përdorimi i drogave. E Hysen Thaçi u ka thënë atyre se nëse kjo ndodh në fillim të përdorimit të drogave, atëherë shërimi është shumë më i shpejtë, ndërsa nëse trajtimi ndodh me vonesë, edhe shërimi vonon.

Ndërsa, mbidoza ka thënë se mund të çojë edhe në fatalitet.

Ligjëratat kundër drogave janë duke u mbajtur në shkollat e mesme të Podujevës dhe me nxënësit e klasave të nënta.