Arbëri

Mësimdhënësit në Lipjan ankohen se komuna nuk po ua paguan pagat jubilare

Descriptive Text

Mbi dy milionë euro të grantit qeveritar, të cilat kanë mundur të shpenzohen nëpër kategori të ndryshme, i kanë tepruar Komunës së Lipjanit gjatë vitit të kaluar, prej të cilave rreth 650.000 euro i janë rikthyer si suficit nivelit qendror.

Kjo ka nxitur reagimin e mësimdhënësve në këtë komunë, të cilët janë ankuar se nuk po u paguhen pagat jubilare, shpenzimet e udhëtimit, shujtat dhe as pagesat për shpenzime të rrugës.

Behar Berisha, mësimdhënës në Magurë, ka kërkuar që këto mjete të paguhen sa më shpejt.

“Shqetësimet tona si mësimdhënës janë që ne mos të merremi me këto, por të merremi me mësim nëpër shkolla, ndërsa të paguhen ato në mënyrë retroaktive dhe që mos të dërgohet lënda në gjykatë sepse dëmtohet edhe buxheti i komunës. Këtë buxhet mund ta parafrazojë nga gazetat e ndryshme dhe buxheti i përparshëm sepse për tre vjet ka suficit komuna duket se sivjet i ka afërsisht 2 milionë”, ka thënë ai.

E kryetari i Sindikatës së Mësimdhënësve në shkollën fillore “Haradin Bajrami” në Magurë ka thënë se në Komunën e Lipjanit janë të angazhuar rreth një mijë mësimdhënës, ndaj të cilëve komuna është zhytur në borxhe të thella milionëshe.

“Në bashkëpunim me mësimdhënësit që janë anëtarë të sindikatës kemi angazhuar avokatin për procedura rreth tërheqjes së pagave jubilare dhe shujtave. Avokati nuk na ka dhënë përgjigje me shkrim por vetëm përgjigje me gojë, sepse lënda është dërguar në gjykatë dhe është procedu por pritet seanca”, ka deklaruar Ruzhdi Jashanica.

Në anën tjetër, nëpërmjet një përgjigje me shkrim, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Lipjanit, Elmaze Behluli, ka thënë se Ministria e Arsimit dhe Shkencës, përkundër nënshkrimit të kontratës kolektive me SBASHK-un, nuk ka bërë harmonizimin e saj me Ministrinë e Financave, që komunave t’ua mundësojë me qarkore buxhetore rritjen e buxhetit për këtë kategori të pagesave.

Ajo është shprehur optimiste për gjetjen e mundësive buxhetore për pagesat e tilla në të ardhmen.