Arbëri

Dega e PDK-së në Prizren gjobitet me 2 mijë euro për shkeljen e masave anti-COVID

Prizren, 3 shkurt – Inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe të Veterinarisë bashkë me inspektorët e Komunës së Prizrenit kanë gjobitur me 2 mijë euro degën e PDK-së në Prizren, për shkak të shkeljes së masave anti-COVID në tubimin e mbajtur të martën mbrëma.

Drejtori i Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, Edon Muçaj në rrjetet sociale ka bërë të ditur se ky dikaster në bashkëpunim me inspektorët e AUV-it gjatë inspektimit ka konstatuar se në tubimin e PDK-së janë shkelur të gjitha rregullat anti-COVID.

Ndërsa Komuna e Prizrenit ka njoftuar për gjobitjen e një subjekti politik, por pa e përmendur emrin e partisë.

“Drejtoria e Inspektoratit, së bashku me inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe të Veterinarisë mbrëmë kanë bërë inspektimin e një tubimi nga një subjekt politik, ku u pa që janë shkelur rregullat dhe masat ndaj pandemisë. Me këtë rast është shqiptuar gjobë ndaj këtij subjekti”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit. Aty theksohet se Drejtoria e Inspektoratit do të vazhdojë me inspektime të tilla, dhe se “gjobat do të shqiptohen vetëm me daljen e inspektorëve në vendngjarje”.

© KOHA.