Pa ngrohje mund të mbesin shkollat, institucionet shëndetësore, sportive e kulturore në Obiliq, nëse procedurat e prokurimit publik zgjasin më shumë se në muajin mars.
Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e ka kthyer në rivlerësim tenderin me titull “Furnizim me dru dhe pelet për institucionet komunale (Drejtoria e Arsimit, ajo për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale dhe Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport), vlera e të cilit është parashikuar 285,960 euro.
Zyrtarja për marrëdhënie me publikun në Komunën e Obiliqit, Arba Mirena, ka thënë se institucionet e lartshënuara kanë rezerva të druve dhe peletit deri në muajin mars.
“Autoriteti Kontraktues-Komuna e Obiliqit e ka shpallë tenderin për projektin: Furnizim me dru dhe pelet për institucionet komunale-DA, DSHMS dhe DKRS (që nënkupton shkollat, QKMF-ja, QMF-të dhe AMF-të, palestra sportive dhe shtëpia e kulturës v.j.). Për projektin në fjalë ka pasë ankesa në OSHP. Institucionet e lartëshënuara kanë dru dhe pelet deri në muajin mars. Lënda është kthyer në rivlerësim më datën 27.01.2021. AK më datë 28.01.2021 merr vendim dhe lëndën e kthen në rivlerësim”, ka thënë Mirena.
Organit Shqyrtues i Prokurimit ka konstatuar shkelje ligjore nga ana e Autoritetit Kontraktues, e që është Komuna e Obiliqit. Kjo e fundit kishte publikuar njoftimin për dhënie të kontratës për këtë aktivitet të prokurimit. Por, operatori ekonomik “Wood Company” shpk-Prishtinë, si palë e pakënaqur ka deponuar ankesë në OSHP kundër këtij njoftimi me pretendimin AK ka vepruar në kundërshtim me nenin 1, 7, 59, 60, 64 dhe 69 të Ligjit për prokurim publik.
Organi shqyrtues i prokurimit ka autorizuar ekspertin shqyrtues për të shqyrtuar vlefshmërinë e pretendimeve të palës ankimore.
“Pas analizimit të dokumentacionit të ofruar në platformën elektronike e-prokurimi për këtë aktivitet të prokurimit, eksperti shqyrtues sqaron se lideri i konsorciumit ‘AOME’ shpk ka ofruar listën me 9 kontrata të listuara ashtu siç është kërkuar në FDT. Mirëpo dëshmitë dokumentare të kërkuara në FDT si referenca dhe certifikata për kryerjen e punëve ka ofruar vetëm 6, ndërsa 3 prej tyre janë raporte, të cilat nuk i plotësojnë 60 për qind të vlerës së kërkuar”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimit të OSHP-së.
“Ndërsa, për kontratën me numër të prokurimit KKHE-029-2019-136 të cilën e konteston OE ankues, eksperti shqyrtues sqaron se për këtë kontratë lideri i konsorciumit ka ofruar raport e jo referencë siç është kërkuar në FDT”.
Më tej në arsyetim, eksperti sqaron se pretendimi i OE ankues për këtë pikë është i qëndrueshëm për faktin se dëshmitë e ofruara nga OE i rekomanduar për kontratë ekzaktësisht lideri i konsorciumit nuk e plotëson kërkesën e dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë sepse referencat nga lideri i konsorciumit nuk e arrijnë vlerën 60 për qind të shumës së kërkuar.
“OE ankues pretendon se OE i rekomanduar për kontratë është i papërgjegjshëm për shkak se nuk e ka tërë dokumentacionin në rregull, sepse nënshkrimet për liderin e konsorciumit ‘AOME’ shpk nuk përputhen tek deklarata nën betim me nënshkrimet tek deklarata për themelimin e konsorciumit dhe me nënshkrim të identifikimit të operatorit ekonomik. Lidhur me këtë pretendim ankimor eksperti shqyrtues sqaron se në certifikatën e biznesit të lëshuar nga ARBK-ja si person i autorizuar dhe si pronare figuron znj. Nafije Makolli”.
Ndërsa sa i përket mospërputhjes së nënshkrimit eksperti shqyrtues vlerëson se gjatë rivlerësimit AK-ja konform nenit 59 të LPP-së duhet të kërkojë sqarime.
“OE ankues pretendon se anëtari tjetër i konsorciumit OE ‘Tini’ ka ofruar një certifikatë nga Gjykata Themelore në Prizren se nuk është duke u zhvilluar procedurë penale, ndërsa qëllimi i lëshimit të kësaj certifikate thuhet se lëshohet për punësim. Pra kjo certifikatë nuk vlen sepse është lëshuar për qëllime tjera e jo për tender siç kërkohet dhe ashtu siç i kanë ofruar kompanitë tjera edhe vetë anëtari tjetër i konsorciumit i rekomanduar për kontratë”, thuhet tutje në arsyetim.
Lidhur me këtë pretendim eksperti shqyrtues ka sqaruar se OE “Trini” në platformën elektronike ka paraqitur dy certifikata, njëra është lëshuar më datën 27.10.2020 nga Gjykata Themelore në Prizren në të cilën thuhet se mund të përdoret për punësim dhe një certifikatë tjetër është ofruar nga OE ‘Tini’ e lëshuar më datën 05.06.2020 nga Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për çështje ekonomike në të cilën thuhet që është lëshuar për pjesëmarrje në tender. Andaj eksperti shqyrtues ka vlerësuar se AK-ja mund të vendos se cilin nga dokumentet është relevant për këtë aktivitet të prokurimit.
“OE ankues thotë se kanë bërë kërkesë për rishqyrtim dhe AK-ja nuk u ka kthyer përgjigje dhe nuk kanë pranuar asnjë vendim për aprovim-refuzim të kërkesës për rishqyrtim dhe gjithashtu nuk kanë pranuar ndonjë njoftim për zgjatje të afatit për kthim të përgjigjes. Eksperti shqyrtues vlerëson se AK ka qenë dashur të veprojë konform dispozitave të paragrafit 6 të nenit 108/A të LPP-së”.
Në arsyetim thuhet se eksperti shqyrtues i ka propozuar Panelit shqyrtues që ankesat e OE ankues të pranohet pjesërisht dhe lënda të kthehet në rivlerësim. Por, me këtë nuk janë pajtuar as AK e as OE ankues.
“Paneli shqyrtues pas shqyrtimit të lëndës, shqyrtimit të pretendimeve ankimore të OE ankues, konstatimeve, analizës konkrete dhe rekomandimeve të ekspertit shqyrtues, vjen në përfundim se Autoriteti Kontraktues nuk ka bërë vlerësimin dhe ekzaminimin e tenderëve në harmoni me kërkesat e dosjes së tenderit, konkretisht me referencat e liderit të konsoriciumit. Andaj, obligohet AK që të bëjë vlerësimin e tenderëve sipas kritereve të përcaktuara në dosje të tenderit dhe në harmoni me nenin 59 të LPP-së”, thuhet në fund të arsyetimit.
OSHP e ka miratuar pjesërisht si e bazuar ankesën e operatorit ekonomik “Wood Company” shpk-Prishtinë kundër njoftimit për dhënie të kontratës lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull “Furnizim me dru dhe pelet për institucionet komunale “DA, DSHMS dhe DKRS” me nr. të prokurimit: OB614-20-4638-1-2-1, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues-KK Obiliq. I njëjti e ka anuluar njoftimin për dhënie të kontratës dhe lëndën e ka kthyer në rivlerësim.
“Mosrespektimi i këtij vendimi, detyron Panelin shqyrtues që konform dispozitave ligjore të nenit 131 të Ligjit për prokurim publik të Kosovës nr. 04/L-042, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin 04/L-237, Ligjin 05/L-068 dhe Ligjin 05/L-092 të ndërmarrë masa ndaj Autoritetit Kontraktues”, thuhet në vendimin e OSHP-së”, thuhet në vendimin e OSHP-së.