Arbëri

20 punëtorë mbesin pa punë, Bulliqi e akuzon ish-pushtetin për kontrata të paligjshme

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e ka akuzuar ish-pushtetin e kësaj komune se i ka mbajtur jashtëligjshëm në punë 57 punëtorë.

Në një konferencë për media, Bulliqi ka thënë se 20 prej këtyre punëtorëve që janë infermiere, punëtorë të administratës komunale, roje pylli, dhe pozita tjera u kanë skaduar kontratat mbi vepër dhe rrjedhimisht kanë mbetur pa punë.

Ai ka thënë se Ligji për punë dhe ai për shërbyes civil nuk e lejon mbajtjen e një personi me kontratë mbi vepër më shumë se 120 ditë brenda një viti. Ndërkohë, sipas tij, në Komunën e Podujevës ka punëtorë që janë prej vitit 2010 me kontratë mbi vepër.

Ai ka thënë se i vije keq për këta punëtorë që tash për tash kanë mbetur pa punë, por ka thënë se ai nuk do ta shkel ligjin sikur pushteti i kaluar i LDK-së në këtë komunë.

Kryetari i Komunës së Podujevës ka theksuar se prej këtyre 20 punëtorëve, 12 kanë punuar në QKMF-në dhe shumica e infermiereve në qendrën anticovid. Kjo sipas tij, do të krijojë telashe në këtë qendër.

“Ish-pushteti i ka mbajtur jashtëligjshëm 57 punëtorë, 20 prej të cilëve u ka skaduar afati i këtyre kontratave për punë specifike. Çka është më e keqja, një pjesë e këtyre punëtorëve nuk hyjnë në kategorinë e punëve specifike. Madje, ish-pushteti ka pranuar punëtorë me kontrata të rregullta, ndërkohë që këta i ka lënë për kaq vjet jashtëligjshëm me kontrata mbi vepër. Një pjesë e këtyre punëtorëve kanë qenë në QKMF, ka prej tyre punëtorë të administratës komunale, roje pylli, zjarrfikës”, ka thënë Shpejtim Bulliqi në këtë konferencë për media.

Ai ka theksuar se do të përpiqet edhe me nivelin qendror që këta punëtorë të mos mbesin pa punë dhe të gjendet një zgjidhje për ta.