Kosovë

PDK-ja e Prizrenit zgjedhjet e 14 shkurtit i sheh si referendum edhe për qeverisjen komunale

PDK-ja e Prizrenit zgjedhjet e 14 shkurtit i sheh si referendum edhe për qeverisjen komunale
 

25 janar – Drejtuesit e degës së PDK-së në Prizren kanë shprehur qëndrimin se zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 14 shkurt 2021, paraqesin referendum edhe sa i përket zgjedhjeve komunale që pritet të mbahen në vjeshtë të këtij viti. Madje i kanë bërë thirrje individëve që besojnë në programin e kësaj partie që t’i bashkohen asaj, me qëllim të rikthimit të pushtetit në Prizren.

“Në emër të degës i bëjmë ftesë të gjithë atyre të cilët janë të interesuar ta mbështesin programin tonë që të bëhen pjesë e subjektit tonë politik, sepse zgjedhjet e 14 shkurtit nuk janë vetëm zgjedhje për Parlamentin e Kosovës, por janë edhe një referendum për ta rikthyer qeverisjen lokale në Prizren, për faktin se kemi parë një degradim total të qeverisjes në këto tri vitet e fundit. Jam i bindur se bashkë me qytetarët e Prizrenit, në vjeshtë të këtij viti kur mbahen zgjedhjet komunale, do ta rikthejmë qeverisjen e mirë në qytetin e Prizrenit”, ka thënë nënkryetari i degës së PDK-së në Prizren, Kujtim Gashi.