Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Obiliq i ka kryer rreth 1.000 teste serologjike për Sars Cov-2.
Sipas drejtorit të QKMF-së, Haki Jashari, për afro një muaj, prejse ka filluar testimi në këtë institucion shëndetësor, testet i kanë bërë i gjithë personeli shëndetësor, arsimor, policorë, i QPS-së, komunës etj.
“I ka për më shumë se 1 muaj që kemi filluar t’i bëjmë testet serologjike në QKMF. Menjëherë pas fillimit të punës, testet i kemi bërë për personat që janë më të rrezikuar. I kemi bërë për të gjithë personelin e Komunës, personelin shëndetësor, për policinë, personelin e shkollave, të çerdheve, Qendrës për Punë Sociale, personelin e Bashkësisë Islame, etj. Po ashtu testet janë bërë edhe për një pjesë të qytetarëve që kanë pasur nevojë. Deri tash diku rreth 1000 teste janë bërë në QKMF”, ka thënë Haki Jashari.
Drejtori i QKMF-së thotë se çdo ditë e bëjnë regjistrin e qytetarëve që kërkojnë t’u bëhet testi dhe pastaj ata i thërrasin me telefon. Por, sipas tij, zakonisht u shkojnë gjysma e qytetarëve që paraprakisht i lënë të dhënat në QKMF për testim.
Siç shihet në platformën e-prokurimi, Komuna e Obiliqit kishte nënshkruar kontratë më 15 dhjetor 2020 për blerjen e aparatit laboratorik për kryerjen e testeve serologjike për Sars-Cov 2 në vlerë prej 9,990 euro.
Ndërkohë, në muajin nëntor nëpërmjet procedurës së negociuar kishte blerë teste serologjike për Sars-Cov 2 për QKMF në vlerë prej 131,727 euro.
Aktualisht Komuna e Obiliqit është vendosur në “zonën e kuqe”, ku lëvizja e qytetarëve është e lejuar prej orës 05:00 deri në 21:30.