Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri e ka cilësuar të jashtëzakonshme situatën me vërshimet e fundit në këtë komunë. Sipas tij, një gjendje e rëndë si ajo e fundit s’është parë që nga viti 1979.
Shumë familje janë evakuuar, ndërsa dëmet janë tejet të mëdha, ka njoftuar ai në emisionin “Express” të KTV-së.
“Vushtrria është përballë me vërshime të nivelit të lartë. Nga viti ’79 s’është parë gjendje e tillë. Jemi përgatitur qysh dje për këtë duke dhënë paralajmërim për qytetarët që banojnë pranë lumit Silnica. Kemi pasur informacion se lumenjtë janë fryrë shumë dhe duke ditur se ato derdhen në lumin Silnica, tradicionalisht kanë shkaktuar vërshime. Janë afektuar rreth 500 familje. Janë mijëra hektarë të dëmtuar. Ka një numër të fermerëve që kanë pësuar dëme. Vetëm një fermer i ka humbur 120 dele”, ka thënë ai duke shtuar se janë evakuuar rreth 100 familje, shumica prej tyre vetë.