Arbëri

​Përmbyten 500 familje nga vërshimet në Vushtrri

500 familje në komunën e Vushtrrisë janë përmbytur si shkak i vërshimeve, ndërkohë që Lumi “Sitnica” ka dalë nga shtrati.

Me mijëra hektarë tokë janë përmbytur, e këto vërshime po konsiderohen si më të mëdha që nga viti 1979.

Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media kryetari i kësaj komune Xhafer Tahiri i cili tha se kjo komunë mbrëmë dhe sot paradite është përballur me vërshime të mëdha, vërshime të cilat nuk mbahen mend qe nga viti 1979.

"Mbrëmë dhe sot ka pasues vërshime të mëdha. Lumi ‘Sitnica’ ka dalë nga shtrati dhe janë përmbysur me qindra hektarë tokë. Dhe 500 familje dhe shtabi të cilat janë përmbytur nga uji. Për fat të mirë nuk kemi pasur asnjë viktimë të njerëzve. Ndërkohë që banorët janë ndihmuar në evakuimin e tyre. Janë evakuuar rreth 100 familje nga FSK, zjarrfikësit dhe vullnetarë. Ne dje e kemi shpallur gjendjen e emergjencës civile", theksoi ai.

Tahiri po ashtu tha se ka pasur dëme të mëdha edhe në toka bujqësore dhe ferma. Ai bëri të ditur që 120 dele janë mbytur në një fermë.

“Niveli i ujit ka filluar të bie, situata ka filluar të qetësohet. Të gjitha ekipet komunale janë duke u dalë në ndihmë banorëve qe sa më lehtë të përballojnë këtë situatë. Komuna ka zero fonde që të ndihmojë këto familje. Duhet të ketë përkrahje nga Qeveria e Kosovës", tha Tahiri.

Shkolla "Naim Frashëri" dhe Palestra e Sportit në Samadrexhë do të shfrytëzohen për strehim në rast nevoje të këtyre familjeve.