Arbëri

Komuna e Ferizajt kontrakton pesë kompani për mirëmbajtje të rrugëve gjatë dimrit

Komuna e Ferizajt në të kaluarën pati dështuar ta pastroi borën në të gjitha fshatrat si pasojë e mungesës së kapaciteteve të kompanive, por këtë vit komuna është treguar mjaftë e përgatitur derisa ka kontraktuar gjithsejtë pesë kompani të cilat do të jenë në dispozicion 24 orë për pastrimin e borës. Ekipet e komunës paraprakisht kanë bërë inspektime në të gjitha këto kompani për të parë gjendjen teknike të makinerive, kapacitetet e kripës, fuqinë punëtore dhe kushteve tjera për menaxhimin e të reshurave të borës. Për këtë sezon dimërore komuna ka shpenzuar rreth 250 mijë euro.

Arben Halili, drejtor për Shërbime Publike në Komunën e Ferizajt ka thënë se janë të kontraktuara pesë kompani të cilat i kemi ndarë në gjashtë loto për menaxhim të të reshurave të borës. Sipas tij mbi 40 fshatra sa ka Ferizaj të gjitha do të kenë rrugët e pastruara në rast se ka të reshura të borës. “Qytetin e Ferizajt e kemi ndarë në dy llote, pra pjesën lindore dhe atë perëndimore, në të cilat përfshihet edhe pastrimi i borës nga sheshet dhe trotuarët. Ndërkaq katër llote tjera i kemi ndarë për fshatra. Sivjet jemi mjaftë shumë të përgatitur për ta menaxhuar sezonin dimëror dhe të reshurat e borës, andaj për ta vërtetuar këtë ekipet tona kanë bërë inspektime te secila kompani e kontraktuar për të parë gjendjen e makinerive, kripën, fuqinë punëtore etj.”, ka thënë Halili.