Ekzekutivi i Komunës së Lipjanit gjatë ditës ka përuruar rreth 20 kilometra investime në ndriçim publik përgjatë rrugës magjistrale Lipjan-Magurë, dhe disa vendbanime të tjera.
Ky projekt është investim vetanak i Komunës së Lipjanit në vlerë prej rreth 300 mijë eurosh. Ndërkohë zyrtarët komunal kanë bërë të ditur se sistemi i këtij ndriçimi ka një kosto të vogël të shpenzimeve të energjisë elektrike.
Kryetari Imri Ahmeti në mbrëmjen e së mërkurës, ka ndezur për herë të parë një pjesë të ndriçimit në aks rrugor.
“Sapo e kemi bërë inaugurimin e ndriçimit publik në rrugën prej Lipjanit në drejtim të Magurës, ndërkohë pas pak ditësh pritet edhe lëshimi i ndriçimit në fshatin Hallaq i Ri, Rufc i Vjeter, Rufc i Ri, Torinë, Poturoc dhe Qylagë. Po besoj se kjo rrugë e gjatë me këtë ndriçim do t’ia mundësoi qytetarëve që frekuentimi i tyre të jetë sa më i sigurt. Ndërkohë po besoj se pas pak ditësh do të ketë ndriçim edhe në fshatin Dobraj e Madhe”, ka thënë Ahmeti.