Arbëri

Stacioni i Autobusëve në Ferizaj në krizë financiare, kërkon mbështetje

Rreth 40 punëtorë në Stacionin e Autobusëve në Ferizaj që nga muaji tetor ende nuk i kanë marrë pagat.

Kjo është bërë për shkak të mungesës së të hyrave të pakta financiare, e që përveç pandemisë ka ndikuar edhe projekti i ashtuquajtur “Bashkimi i Qytetit” derisa rruga “Ahmet Kaçiku” është bllokuar, e cila është vetmja nëpër të cilën kalonin autobusët nga Komuna e Shtimes.

Drejtuesit e këtij institucioni kanë kërkuar mbështetje financiare nga Komuna e Ferizajt me qëllim që t’i mbulojnë pagat e punëtorëve.

“Shkaktari kryesor është pandemia, janë masat e reja, gjithashtu e kemi një problem që janë punimet e rrugës që janë ndaluar linjat e Shtimes dhe të gjitha këto na kanë sjellë probleme të mëdha për qarkullim të linjave dhe grumbullim të financave”, ka thënë Albulena Qala, drejtoreshë e Stacionit të Autobusëve në Ferizaj.

Lidhja Demokratike e Kosovës në Ferizaj ka kritikuar qeverisjen lokale për gjendjen e krijuar në Stacionin e Autobusëve.

Ky subjekt politik është zotuar se kërkesën e Stacionit të Autobusëve për subvencionim do ta përkrahin në mbledhjen e radhës së Kuvendit Komunal.

“Po duke pasur parasysh edhe mbipunësimet të cilat janë kryer nga pushteti për të kënaqur klientelën e tyre politike në mënyrë krejtësisht të pakontrolluar dhe në kundërshtim jo vetëm me ligjet, por edhe me organogramin, i cili është i aprovuar aty”, ka thënë kryetari i LDK-së në Ferizaj, Muharem Svarqa.

Drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Ferizajt, Arben Halili, ka thënë se po punojnë që atyre t’u dalin në ndihmë.

“Kishin humbje të mëdha prej 4 mijë deri 5 mijë euro dhe në të njëjtën kohë kërkuan nga ne që t’i ndihmojmë apo t’i mbështesim financiarisht. Mirëpo, prapë se prapë ishim në vështirësi të theksuar ne si komunë dhe tani veç është e ditur se në seancën e fundit që mbahet më 18 dhjetor të 2020-s kemi vendosur që Stacionin e Autobusëve ta mbështesim me 30 mijë euro”, ka thënë drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Ferizajt, Arben Halili.

Komuna e Ferizajt gjatë kohës së pandemisë ka liruar nga tatimi të gjitha kompanitë e autobusëve për vazhdimin e linjave rrugore, në mënyrë që ta përballojnë më lehtë situatën e krijuar.