Kosovë

Bursa e subvencione për familjarët e drejtorëve komunalë

Bursa e subvencione për familjarët e drejtorëve komunalë
Drejtori për Arsim e ai për Bujqësi në Komunën e Obiliqit nuk i kanë çuar shumë larg bursat për studentë e subvencionet në bujqësi. Të dy janë kujdesur që me bursa e subvencione t’i “rehatojnë” edhe familjarët e tyre. Njëri i ka dhënë bursë djalit, e tjetri u ka dhënë subvencione vëllezërve, resë, nipit e kushërinjve. Megjithatë, asnjëri nuk e ka konsideruar këtë si konflikt interesi
 

Zyrtarë të Komunës së Obiliqit kanë ndarë bursa për fëmijë, kanë dhënë subvencione e grante për familjarë dhe kanë zgjedhur drejtoreshë shkolle një të afërme të kryetarit të Komunës. Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë ftuar organet që t’i hetojnë komunarët të cilët i çuan mjetet publike në shtëpitë e veta. Ndërkohë, komunarët e Obiliqit nuk konsiderojnë se kanë bërë shkelje ligjore kur kanë ndarë mjete edhe për familjarët e tyre

Drejtori për Arsim e ai për Bujqësi në Komunën e Obiliqit nuk i kanë çuar shumë larg bursat për studentë e subvencionet në bujqësi. Të dy janë kujdesur që me bursa e subvencione t’i “rehatojnë” edhe familjarët e tyre. Njëri i ka dhënë bursë djalit, e tjetri u ka dhënë subvencione vëllezërve, resë, nipit e kushërinjve. Megjithatë, asnjëri nuk e ka konsideruar këtë si konflikt interesi. E, ndryshe nga ta mendojnë në Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Obiliq. Sekretari organizativ, Berat Gashi, thotë se komunarët e kanë shkelur ligjin kur u kanë dhënë bursa e subvencione familjarëve të tyre.

“Konflikti i interesit është gjendja e mospajtimit ndërmjet detyrës publike dhe interesit privat të një zyrtari, kur gjatë ushtrimit të funksionit të tij zyrtari ka interes privat pasuror ose personal jopasuror. Është e specifikuar mirë në Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, në nenin 3, pika 1.2 dhe 1.6. Por, si duket kjo nuk i bën përshtypje Komunës së Obiliqit”, ka thënë Berat Gashi. “Komuna jonë pothuajse në çdo gjë që bën bie ndesh me ligjet në fuqi. I tillë është edhe rasti fundit i ndarjes së bursave dhe kompensimeve të udhëtimit, ku drejtori i Drejtorisë për Arsim shpërbleu djalin e tij me bursë”.