Arbëri

Qendra për Punë Sociale në Lipjan funksionon me vetëm katër zyrtarë, shkaku i pandemisë

Vetëm katër zyrtarë kanë mbetur në punë në Qendrën për Punë Sociale në Lipjan derisa pjesa tjetër janë prekur nga pandemia Covid 19 dhe disa të tjerë janë vetizoluar, në pritje të rezultateve.

Kjo gjendje e ka vështirësuar ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, që po presin me orë për rregullimin e dokumenteve, raporton KOHA.

“Mua nuk më intereson a ka staf, mua më intereson me ma kry punën time që jam ardhur për atë punë. Qe dy apo tri herë po vi dhe nuk po më japin kurrfarë përgjigje. A më takon a jo nuk e di për çfarë arsyeje pse nuk më takon. Jam i sëmurë i kam dokumentet krejt, në të kaluarën e kam marrë socialin sikur që u lajmërova më herët”, ka thënë Gazmend Limani nga fshati Gadime.

Drejtoresha e këtij institucioni, Makfirete Shamolli, ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët duke theksuar se të gjithëve do t’u vazhdohet shërbimi i asistencës sociale.

“Politikat lokale dhe qendrore në këtë rast departamenti për politika sociale dhe familjare dhe departamenti për shëndetësi dhe përkujdesje sociale do të marrin veprime në mënyrë që të gjitha rastet do të jenë përmes platformës elektronike ashtu siç janë edhe sot, të riaplikohen rastet e tyre pa pjesëmarrjen e palës dhe pa pjesëmarrjen e dokumentacionit”, ka thënë Makfirete Shamolli, drejtoreshë e QPS-së në Lipjan.

Në Komunën e Lipjanit kanë thënë se janë mobilizuar për ta bërë një zgjidhje emergjente në qendrën për Punë Sociale, por kanë kërkuar nga qytetarët që shërbimet t’i kryejnë në koordinim me zyrtarët përmes platformave elektronike.

“Nëse përkeqësohet gjendja, ne e kemi paraparë transferin e ndonjë zyrtari për me i përmbush obligimet dhe detyrat që i takojnë qendrës për punë sociale”, ka thënë Merita Bytyqi, drejtoreshë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Në këtë komunë që nga fillimi i pandemisë janë infektuar gjithsej 933 qytetarë, prej të cilëve janë shëruar 480 dhe janë regjistruar 23 vdekje.