Arbëri

Votuesit nga Bradashi pas një dekade nuk e kishin opsion bashkëvendësin, Agim Veliu

Për herë të parë që nga viti 2009, banorët e fshatit Bradash nuk kanë mundur ta votojnë bashkëvendësin e tyre, në këto zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës.

Agim Veliu, i cili vjen nga ky fshat, dha dorëheqje nga posti i të parit të Podujevës për të marrë udhëheqjen e Ministrisë së Brendshme, raporton KOHA.

Por për një bashkëvendës të tij, mungesa e emrit të Veliut në listën e kandidatëve, pas kaq shumë vjetësh është mrekulli, siç tha ai.

Derisa në qendrën e votimit të këtij fshati thonë se gjithçka ka shkuar në rregull e pa incidente.

“Asnjë vërejtje s’ka pasur, mirë ka shkuar situata. Këtu asnjëherë nuk ka pasur vërejtje”, ka deklaruar Fadil Zymeri, drejtor i shkollës “Nuhi Gashi” në këtë fshat.

Pa ndonjë telash, por me vështirësi për respektim të masave anti-COVID, ka shkuar procesi i zgjedhjeve në fshatin Llugë të Podujevës. As në këtë fshat pandemia nuk ka ndikuar që qytetarët të mos dalin për të votuar.

Sipas menaxherëve të këtyre qendrave, procesi i votimit ka filluar me kohë dhe se me kohë ishin pajisur edhe me materialin e nevojshëm për mbrojtje nga pandemia.