Arbëri

Përjashtohen nga puna dy infermierë serbë në Kamenicë për mosrespektim të orarit të punës

Komisioni disiplinor i cili funksionon brenda Qendrës së Mjekësisë Familjare (QKMF) në komunën e Kamenicës ka votuar unanimisht për largimin nga puna të dy punëtorëve shëndetësorë ngase është konstatuar se ata nuk e kanë respektuar orarin e punës.

Dy infermierët, të cilët i përkasin komunitetit serb, nuk ishin gjetur në vendet e tyre të punës në QKMF-në në Kamenicë, ndërkaq është zbuluar se ata kishin shkuar të punojnë në një spital i cili gjendet në fshatin Pasjan në komunën e Parteshit, i cili spital financohet dhe menaxhohet nga shteti i Serbisë.

Shteti serb ka themeluar dhe vendosur strukturat e saj paralele në ato vendbanime të Kosovës ku serbet përbëjnë shumicën. Këto struktura kanë për detyrë të parandalojnë procesin e integrimit të serbeve në institucionet e Kosovës.

Anëtar i komisionit disiplinor, Hyr Maroca, deklaron se përjashtimi i këtyre dy punëtorëve shëndetësorë ka ardhur pasi në vazhdimësi kanë shkelur detyrat. Ai thotë se infermierët ishin zotuar se nuk do të e respektonin orarin e punës në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kamenicë në qoftë se një gjë e tillë kërkohet nga strukturat paralele serbe.

Maroca deklaron se duke e marrë për bazë shkeljet dhe zotimin për mos respektimin e orarit të punës atëherë ata kanë votuar unanimisht përjashtimin e tyre.

“Gjatë kontrolleve disa herë nuk i kemi gjetur në vendin e punës dhe është edhe procesverbali. Kanë tri vërejtje brenda një viti dy vërejtje me shkrim dhe 1 me gojë. Sipas rregullores nëse i ka më shumë se 2 vërejtje nga eprori më i lartë administrativ i institucionit shkon direkt në komisionin disiplinor. Është zhvilluar procedura brenda kohës dhe komisioni disiplinor ka marr vendim për largim nga puna”, thotë ai.

Ai thotë se vendimi për përjashtim nuk është pritur me shqetësim nga dy infermierët të cilët para komisionit kanë deklaruar se puna e tyre do të vazhdojë në kuadër të institucioneve paralele serbe të cilat funksionojnë në Kosovë.

“Nuk kemi pasur alternativë tjetër sepse kontrata është shkelur në kontuinitet. Ata na thanë që ju veproni në bazë të ligjeve të Kosovës dhe ne do të veprojmë në bazë të ligjeve që i njohim dhe do të shkojmë me Serbinë ngase sipas tyre Serbia është më e madhe dhe më e fortë dhe dëshirojnë të vazhdojnë kontratën me ta. Por edhe ne me vota unanime i kemi larguar nga puna”, ka thënë ai.