Vendimi i Ministrisë së Financave për vendosjen në fondin rezervë të shumës prej 5.5 milionë eurove të parapara me propozim-buxhetin e vitit 2021 për 75 projektet e reja të Komunës së Prizrenit ka përplasur sërish pushtetin dhe opozitën.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Prizrenit, të premten, opozitarët kanë theksuar se padrejtësisht janë akuzuar nga kryetari Haskuka lidhur me këtë çështje, raporton KOHA.
“Dhe sot del e akuzon Kuvendin pse nuk i votohet buxheti. Unë nuk e di se cila është arsyeja? Cila është arsyeja kur nuk është realizuar as 50 për qind e buxhetit të këtij viti, që e ka të votuar”, ka thënë Haziz Hodaj nga LDK-ja.
Akuza ka drejtuar edhe Simir Krasniqi i PDK-së.
“Qytetarët le ta shohin që 7 milionë shkojnë në suficit, 5.5 milionë shkojnë në rezerva shtetërore. Tash si? Janë taksat e Komunës së Prizrenit ato mjete”, ka shtuar Krasniqi.
Drejtoresha e Financave, Leonora Çerreti, për këtë fajin ua ka lënë pikërisht asamblistëve të Kuvendit Komunal.
“Pra, në momentin kur ju si KK e aprovoni buxhetin, ato mjete të gjitha, 5.5 milionë euro, do të jenë përsëri pjesë e buxhetit të Komunës”, ka deklaruar Çerreti.
Edhe kryetari, Mytaher Haskuka, për humbjen e këtyre mjeteve pati akuzuar opozitën për mosvotim të buxhetit.