Prej më shumë se dy vjet qytetarët në Komunën Lipjanit po përballen me mungesë të shërbimeve të mamografisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Kjo si pasojë e një defekti teknik që ka ndodhur në sistemin e aparaturës elektronike, raporton KOHA.
Por, deri më tash, Komuna nuk ka arritur ta rregullojë atë, megjithëse disa herë i ka bërë kërkesë një kompanie private për riparim.
“Aparati i Mamografi në QKMF nuk funksionon për arsyeje se ka një defekt i cili duhet të evitohet, por deri tash nuk kemi pasur mundësi derisa pacientët për momentin po i dërgojmë për ekzaminim të mamografisë në QKUK”, ka pohuar mjeku Haxhi Bytyqi.
Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Lipjanit, Merita Bytyqi, ka thënë se kompania që ishte donatore e mamografisë ka pasur obligim edhe punën e mirëmbajtjes, mirëpo ajo nuk është përgjigjur kur një gjë e tillë është nevojitur.
“Drejtori i QKMF-së ka bërë kërkesa disa herë, dhe mendoj se në një të afërt shumë të shpejtë nëse këta nuk përgjigjen, atëherë ta përdorim planin B për ta gjetur një operator tjetër të servisimit në mënyrë që sa më shpejt të vihet në funksion puna e mamografit”, ka deklaruar Bytyqi.
Ajo zotohet se që nga viti i ardhshëm do ta kenë në funksion shërbimin e mamografisë.