Kosovë

Komuna dhe qytetarët kërkojnë largimin e Qendrës së Azilit nga Magura

Janë 18 raste që Policia në Lipjan i ka iniciuar ndaj emigrantëve nga Siria, Maroku dhe Algjeria për vepra penale të kryera në Magurë, ku aktualisht është Qendra e Azilit. 13 persona janë arrestuar nën dyshimin për vjedhje të rëndë, kanosje, posedim të narkotikëve, sulm ndaj personit zyrtar, dëmtim të pasurisë publike e zjarrvënie.

“Gjatë vitit 2020 (perioda kohore janar –tetor) gjithsej janë raportuar 18 raste të veprave penale: Vjedhje 3, Rrahje/sulmi 2, Sulme ndaj personit zyrtar/ pengime te personit zyrtar 3, Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë 1, Lëndim i lehtë trupor 5, Zjarrvënie 1, Posedim i substancave narkotike 3. Prej rasteve të lartcekura, 15 janë dorëzuar në Prokurori kurse 3 janë akoma nën hetime. Në rastin e fundit të zjarrvënies së xhamisë, masa e ndalimit për 30 ditësh i është caktuar vetëm një personi”, thuhet në përgjigjen e Policisë.