Arbëri

Shtimja kërkon njësi të gjykatës themelore, thotë se e gëzon të drejtën për të

Institucionet komunale të Shtimes prej vitesh e kërkojnë njësinë e Gjykatës Themelore me arsyetimin se kjo qytezë e gëzon të drejtën për një institucion të tillë. Mirëpo, kërkesat e kësaj komune deri tash nuk janë shqyrtuar asnjëherë nga Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Kryetar i kësaj Komune, Naim Ismajli, ofroi edhe kushte infrastrukturore për ndërtimin e gjykatës me qëllim që bashkëqytetarët të mos lëvizin deri në Ferizaj për shërbime të ndryshme, raporton KOHA.

“Bazuar në legjislacionin e ri, komuna e Shtimes e gëzon të drejtën që ta ketë gjykatën në Shtime, por edhe nevoja e qytetarëve për shërbime që janë të nevojshme nga gjykata mendoj se është e arsyeshme, andaj themelimi i gjykatës do të ishte një lehtësim për qytetarët tanë që nuk kanë nevojë të lëvizin në Ferizaj për t’i zgjidhur punët e tyre por një lehtësim edhe për Gjykatën Themelore të Ferizajt sepse ka një numër të madh të lëndëve”, është shprehur Naim Ismajli, kryetar i Komunës së Shtimes.

Mungesa e gjykatës e vështirëson edhe punën e Inspektoratit komunal, pasi që Gjykata Themelore në Ferizaj po i vjetërson lëndët shkaku i mbingarkesës.

“Komuna e Shtimes ka nevojë për një gjykatë sepse inspektorati ka lëndë që i adreson në Gjykatën Themelore në Ferizaj, kështu që shpeshherë lëndët tona për shkak të ngarkesës që e ka kjo gjykatë ato vjetërsohen dhe nuk mund të zgjidhen brenda afatit kohorë”, ka thënë Sherif Sheri, inspektor sanitar në Komunën e Shtimes.

Sipas shoqërisë civile, komunat e tjera të rajonit të Ferizajt, që për nga numri i banorëve janë më të vogla, i kanë degët dhe njësitë e tyre, ndërkaq Shtimja është anashkaluar nga niveli qendror.

“Ne si organizatë por edhe kolegët nga shoqëria civile në Shtime, mendojmë se është një nevojë e madhe qytetarët, këtë e themi duke u bazuar në takimet që i kemi pasur me grupe të ndryshme të qytetarëve, në tryeza dhe panele diskutime, ku qytetarët kanë ngritur këto shqetësime se pse qytetarët e Shtimes ende nuk e kenë një njësi të gjykatës”, ka deklaruar Qendrim Hoxha nga OJQ “LEAP”.

Ndërkohë Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Kohës rreth kësaj çështjeje.