Pas rreth 4 vjetëve që nga operimi i hidrocentraleve në Deçan, 3 prej tyre ka dy ditë që e kanë ndalur punën.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ia ka vazhduar licencën kompanisë “Kelkos” për të vazhduar operimin. Kompanisë edhe Ministria e Mjedisit nuk ia ka dhënë ende lejen mjedisore.
Vendimi është mirëpritur nga ambientalistët në këtë komunë, raporton KOHA.
“Ne e dimë shumë mirë se hidrocentralet e kelkos kanë operuar në mënyrë ilegale për 2 vite pa i ndërprerë askush, është shumë e mundshme se si ka veprua ky vet që e ka ndal ë para se me marr vendimi që ky të veprojë në mënyrë ilegale dhe të e tregoj atë kapadaillekun vetë që është ky ai që vepron e jo institucionet”, ka deklaruar Adem Lushaj, ambientalist.
Por gjithë këtë proces, nëse kjo kompani do të vazhdojë të mos punojë pa licencë, e shohin me shumë dyshime nga shoqëria civile.
Shpresa Loshaj, nga organizata “Pishtarët”, thotë se kjo kompani çdoherë nuk i ka respektuar ligjet dhe se mbetet të shihet nëse ministritë përgjegjëse do të inspektojnë tash e tutje.
“Keloksi gjithmonë jep deklarata pa kurrfarë bazë te vërtet është shumë për fat të keq në atë deklarate kish thanë se ne jemi afër lejes dhe kishte thënë që kemi lidhje të mirë me shoqërinë civile a herën e fundit që kemi dëgjuar prej tyre është padia, kështu edhe kelkosit nuk I besohet asnjë gjë ata vetëm, e shfrytëzojnë rastin”, ka pohuar Loshaj.
Pas vendimit të ZRRE-së kompania “Kelkos” doli me njoftimin për media, ku tha se ata vetë i kanë ndalur përkohësisht punimet në tri hidrocentrale në Deçan, Belaje dhe Lumbardhi II.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë kompanisë “Kelkos, në tetor të 2019-s, ia vazhdoi licencën e përkohshme për një vit për operimin e saj në grykën e Deçanit, edhe pse kjo kompani nuk ka leje mjedisore.
Kjo nxiti edhe protesta të shumta, pasi që qytetarët e Deçanit e ambientalistët kundërshtuan hidrocentralet.