Arbëri

Banorë të fshatit Dobërdol ankohen se shkaku i bindjeve politike, Komuna nuk po ua asfalton rrugën

Të diskriminuar nga pushteti komunal po ndihen disa banorë të fshatit Dobërdol të Podujevës.

Ata pretendojnë se shkaku i bindjeve politike, nuk po u asfaltohen tri rrugica, ndërkohë që në të njëjtin fshat, zyrtarit të vet, Komuna ia ka çuar asfaltin deri te dera e shtëpisë.

Në shenjë proteste, ata nuk i kanë lejuar makineritë që të fillojnë punimet në rrugët e tjera.

“Arsyeja që iu kemi thirrë është me iu treguar pafytyrësinë e komunarëve tanë, na kanë anashkaluar... Kanë shkuar te vëllezërit e kanë lanë, te djali i mixhës e kanë lanë vetëm për çështje partiake, edhe na kanë anashkalua”, ka thënë Selatin Gashi, banor i fshatit Dobërdol.

Selatin Gashi thotë se përfaqësuesi i fshatit Dobërdol, Isuf Gashi, u ka thënë se nuk do t’u asfaltohen rrugët derisa të mos “kthehen mbarë”, duke aluduar në LDK-në.
Por, këtë e ka mohuar Isuf Gashi. Ai nëpërmjet telefonit ka thënë se nëse do të vepronte kështu, atëherë së pari do t’i asfaltonte rrugët e kushërinjve të afërt.

Ndërkohë, Idriz Gashi thotë se prioritet i Komunës ka qenë që të asfaltohen rrugët ku ka më shumë shtëpi, ndërsa e kanë asfaltuar rrugën ku jeton vetëm zyrtari komunal.

Në anën tjetër, drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Hamdi Jaha, e ka mohuar se këta banorë janë anashkaluar për bindje politike. Kur është pyetur për zyrtarin komunal që i është çuar asfalti te dera, Jaha thotë se nuk është rasti i vetëm që kanë asfaltuar rrugë për një familje.

“Kur kemi filluar nga ana e epërme, ato janë të shtruara komplet, ajo ka qenë rrugë më herët që është ndërtuar. Ne kemi plot rrugë të tjera edhe rrugica të tjera që e kemi nga një familje që i kemi ndihmuar, për shkak se ka qenë më e dëmtuar”, ka thënë Jaha.

Sipas tij, sivjet i kanë paraparë t’i asfaltojnë 50 km në 38 fshatra të Podujevës dhe se në vitin tjetër është paraparë asfaltimi edhe i atyre rrugicave në Dobërdol.