Arbëri

Rrezikohen grantet për komunat pas vendimit të Rakiqit për tërheqjen nga marrëveshja

Komuna e Pejës para tri javësh është njoftuar nga Ministria e Pushtetit Lokal se është njëra prej 17 komunave përfituese të grantit për performancën e treguar gjatë vitit 2019.

Për këtë, Peja, sipas drejtorit të Financave në këtë komunë, Jeton Abazaj, pritej të përfitonte shumën prej 798 mijë eurosh nga granti që në total kap vlerën prej 5.2 milionë euro, raporton KOHA.

Vlerë deri diku të ngjashme, pak mbi 750 mijë euro, ishte edhe ajo e paralajmëruar për Komunën e Gjilanit nga granti i njëjtë.

Mirëpo, këtë grant Komuna e Pejës dhe e Gjilanit, si dhe komunat e tjera përfituese, sipas Abazajt, që njëherësh kryeson Kolegjiumin e drejtorëve të Financave në Asociacionin e Komunave, rrezikojnë ta humbin.

Kjo pasi ministri i Pushtetit Lokal, Goran Rakiq, ka shkëputur njëanshëm marrëveshjen tripalëshe mes kësaj ministrie, komunave dhe donatorëve në këtë projekt.

“Ministri Rakiq është ngutur që ka shkëputur një anshëm marrëveshjen se nuk ka të drejtë me shkëputë njëanshëm marrëveshjen. Se janë tre akterë. Janë komunat, është ministria dhe janë donatorët”, ka thënë kryesuesi i Kolegjiumit të drejtorëve të Financave në AK, Jeton Abazaj.

Gjendja e krijuar nga pandemia, sipas Abazajt, e bën jetike për komunat asistencën nga ky grant.

Lista me komunat përfituese të grandeve për vitin 2019 nuk është publikuar nga Ministria e Pushtetit Lokal, të cilën KOHA e ka kontaktuar për të mësuar arsyen pse ministri Rakiq ua ka mohuar komunave këto grande me shkëputjen e njëanshme të kontratës.

Mirëpo, nga kjo ministri, deri në momentin e raportimit, nuk është kthyer asnjë përgjigje për arsyen e shkëputjes së kontratës e as se çfarë do të ndodhë me mjetet e grantit prej 5.2 milionë euro.

Asociacioni i Komunave të Kosovës vendimin e ka konsideruar si akt të paprecedentë dhe njëkohësisht ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës për të ndërmarrë veprime që gjejnë përgjegjësit e një vendimi të tillë.

Projekti për matjen vjetore të performancës së komunave ka nisur në vitin 2014 nga Ministria e Pushtetit Lokal dhe partnerët e saj: qeveria e Suedisë, qeveria e Norvegjisë dhe organizata e shtetit zviceran “Helvetas Swiss Cooperation”.