Kanë investuar mijëra euro në vendlindje, por disa banorë të fshatit Brainë të Podujevës ankohen se nuk kanë rrymë dhe rruga për te pronat e tyre është vështirë e kalueshme.
Ata thonë se nuk po mund të kujdesen sa duhet për plantacionet me pemë, pasi për shkak të rrugës së dëmtuar duhet t’i bartin mjetet në krah, ndërkohë që edhe për ujitje u duhet rryma.
Edhe pse rrjeti i energjisë elektrike ishte vendosur në vitet ’80 në këtë pjesë të fshatit kufitar, ai është vjedhur menjëherë pas luftës, për të mos u rindërtuar më.
Ndërsa vitin e kaluar Komuna e Podujevës kishte vendosur pak zhavorr në rrugën “Shaban Dërguti”, por, sipas banorëve, puna është bërë shkel e shko. Rexhep Ajeti thotë se për shkak të djegies dhe shkatërrimit të shtëpive gjatë luftës në këtë pjesë të Brainës, janë detyruar ta braktisin fshatin për t’u vendosur në Prishtinë.
Por në vitin 2016 ai e ka ndërtuar një shtëpi këtu dhe ka mbjellë 3 hektarë me arra, mollë e disa pemë të tjera.
“Por po kemi vështirësi të mëdha për shkak se nuk ka rrugë, s’kemi rrymë. Rryma ka qenë deri pas lufte, mirëpo njerëz të pandërgjegjshëm e kanë vjedhë rrjetin. Kemi bërë kërkesa në KEDS, mirëpo nuk janë duke u marrë me këtë çështje. Kështu që po kemi shumë vështirësi. Është investim i madh, unë i kam mbjell tre hektarë me arra, mollë dhe pemë të tjera. 8 euro e kam pagua një fidan arre. E kemi ndërtua edhe shtëpinë, me gjithë vështirësitë që i kemi pasë, se rruga është katastrofë. Para një viti Komuna e Podujevës e ka marrë një aksion për rregullimin e këtyre rrugëve, mirëpo është problem se pak kanë punua në të”, ka thënë Rexhep Ajeti.
Ai thotë se kanë bërë shumë kërkesa në Komunën e Podujevës që nga vitit 2000 për të rregulluar rrugën.
Ky fermer është shprehur shumë i zhgënjyer me institucionet që nuk kanë bërë asnjë investim, edhe pse Braina është fshat në kufi me Serbinë.