Arbëri

MKRS zotohet të mbështesë ndërtimin e pallatit të kulturës dhe të stadiumit të ri në Ferizaj

Dhjetëra milionë euro janë zotuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për investime në infrastrukturën e kulturës rinisë dhe sportit në komunën Ferizajt.

Ministrja e MKRS-së, Vlora Dumoshi sot gjatë një vizite në Ferizaj ka theksuar se kjo komunë ka një histori në pjesën e kulturës, sportit dhe trashëgimisë. Prandaj, është zotuar do të mbështeten projektet në fushë.

Dumoshi me këtë rast premtoi mbështetjen financiare për ndërtimin e një stadiumi të ri në Ferizaj me standarde evropiane.

“Sa i përket sportit ne kemi paraparë disa investime të konsiderueshme kapitale për ndërtimin e palestrës sportive në Gremë të Ferizajt, kompleksin e fushave te tenistit, pishinën gjysmë olimpike. Ne vendosëm që të fillojmë me projektin e stadiumit të ri të qytetit për t’i dhënë mundësi sportistëve. Pra, komuna e Ferizajt ka nevojë për një stadium dhe do të bëhet me standarde më të mira”, theksoi Dumoshi.

Ndërsa, kryetari i Ferizajt Agim Aliu tregoi se në këtë komunë janë duke u zhvilluar disa projekte për fushën e kulturës dhe sportit, ndërsa theksoi se shumë shpejt do të bëhet gur themeli për ndërtimin e pallatit të kulturës.

“E veçanta e vizitës së ministres Dumoshi është se jo vetëm në kuptimin e mbështetjes për aktivitetet kulturore, prandaj sot kemi zotimin e ministres që shumë shpejt ne do të vejmë gur themelin e fillimit të pallatit kulturës që është një objekt që është i pari i këtij lloj në Republikën e Kosovës që do të mundësojë kushte më të mira për artdashësit, krijuesit, por edhe për qytetarët tanë që i përcjellin këto aktivitete”, theksoi Aliu.

Kryetari Aliu tha se të gjitha projektet që kanë nisur dhe do të zbatohen kapin shumën mbi 10 milionë euro/KsP.