Arbëri

Transportuesit publikë në Pejë gjobiten me nga 500 euro për mos zbatim të masave

Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor pranë Drejtorisë Rajonale në Pejë, që nga dita e hënë ka filluar implementimin e planit operativ për shtimin e masave në kontrollin e transportit publik.

Ky aktivitet policor, siç ka thënë zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës, Fadil Gashi, është ndërmarrë me fillimin e fazës së dytë të procesit mësimor të vitit shkollor 2020/21.

Gashi tha se tash ka edhe rritje të numrit të udhëtarëve dhe të nxënësve që shfrytëzojnë mjetet e transportit publik, transmeton KOHA.

“Në orët e mëngjesit të ditës së hënë është filluar me aktivitetin policor, duke bërë kontrollin detal te të gjitha subjekteve që ofrojnë transport publik, si autobus, kombibus dhe taksive, e që sipas vendimeve të Qeverisë obligohen të punojnë me kapacitet të përgjysmuar sa i përket numrit të udhëtarëve që bartin për të lejuar hapësirën e nevojshme për çdo qytetar”, tha Gashi.

Sipas tij Policia e Kosovës në Rajonin e Pejës gjegjësisht Njësia e Komunikacionit Rrugor në Pejë, në implementim të këtij plani gjatë ditës së parë të aktivitetit, ka nisur edhe me shqiptim të gjobave për mos respektim të ligjin kundër COVID-19.

“Masat fillimisht nuk janë në përpikëri duke u zbatuar. Gjatë ditës së djeshme (e hënë) zyrtarët dhe patrullat policore kanë lëshuar shtatë fletë gjoba pronarëve të kompanive të transportit publik. Dhe disa gjoba ndaj udhëtarëve që nuk i kanë bartë maskat”, tha Gashi.

Gjobat prej 500 euro ndaj transportuesve publik që kanë pas më tepër udhëtarë në autobus sesa gjysma e ulëseve, janë shqiptuar edhe ditën e martë.

Në mesin e të gjobiturve me nga 500 euro ka qenë edhe pronari i një autobusi që operon në një linjë urbane-periferike. Ai ka pranuar se ka pas dhjetë udhëtarë më shumë sesa gjysma e gjitha ulëseve që ka në autobus.

“I kam pas 40 udhëtarë në vend të 27 apo 28 udhëtarëve. Dhe këtë e kamë bërë se nuk ka llogari të operosh me pak udhëtarë pas gati gjysmë viti mos punë. Për gjysmë viti ka qëndruar autobusi në garazh dhe regjistrimi ka ec. Në këto kushte nuk mundemi me operua më. 50 cent paguan nxënësi për biletë. 25 nxënës bëjnë 12 euro e gjysmë. 2 euro e gjysmë është veç me hy këtu në peron”, tha në kushte anonimiteti i gjobituri nga policia.

Pronarët dhe shoferët e autobusëve tregojnë se të gjitha masat i kanë ndërmarrë në autobusë, përfshirë dezinfektues, dezinfektim të brendshëm të autobusit, ajrosje të rregullt... por distancë me mbajt në autobus, siç kërkohet me ligjin kundër pandemisë, ata thonë se nuk ka llogari.

“Na një vijë e kemi më nxënës apo me udhëtarë të rregullt, tjerat vija janë me nga 5-6 udhëtarë e duhet me reduktua edhe numrin e udhëtarëve. Në 50 ulëse 25 veta. Që ki më tepër udhëtarë e ki 500 euro dënimin. Peronizimi kushton 2 euro e gjysmë, shpenzime të naftës 60 deri 70 euro në ditë. Është bukur vështirë me ju përmbajt atij ligji se as shpenzimet minimale nuk mundemi me i mbulua”, u shpreh Ramë Turkaj, shoferi i një autobusi që mbanë linjën Pejë-Istog.

Mirëpo, pavarësisht ankesave të transportuesve publik, Policia Rajonale e Pejës është e vendosur që ta zbatojë planin e saj operativ për kontrollimin e shtuar të transportit publik jo vetëm në zonën e qytetit të Pejës, por do ta zgjerojë edhe në zonat e stacioneve tjera policore të këtij rajoni.