Arbëri

Rreth 1 milion euro parasheh të shpenzojë Komuna e Pejës për çerdhen e dytë publike

Në afër një milion euro e ka vlerësuar Komuna e Pejës koston e projektit të saj për çerdhen e re publike, që do të financohet nga Ministria e Arsimit.

Saktësisht 956 mijë e 511 euro është vlera e parashikuar në tenderin e shpallur nga Komuna për këtë çerdhe, që do të ndërtohet pranë shkollës ekonomike “Ali Hadri”, konkretisht ne vend të aneksit të kësaj shkolle, që pritet të rrënohet.

Drejtori i Arsimit në Pejë, Besim Avdimetaj, ka treguar se ajo zonë e qytetit është identifikuar si zonë që i ka munguar një institucion i tillë.

Çerdhja, që është planifikuar të jetë për deri 120 fëmijë, sipas tij do të jetë me standarde bashkëkohore, por siç pohon Avdimetaj, nuk do të kushtojë 1 milion euro.

“Në oborrin e shkollës ‘Ali Hadri’ ka qenë një objekt, i cili nuk ka qenë i shfrytëzuar dhe pikërisht kemi vendosur për çerdhe. Është donacion i Ministrisë së Arsimit. Po nuk është një milion euro. Është 700 mijë euro me participim të Komunës deri në 100 mijë euro. Do të thotë në vlerë prej 800 mijë eurosh nëse ka nevojë. Por gjatë javës do të kryhet tenderimi dhe vlera e çerdhes do të jetë afër 600 mijë euro. Saktë nuk e di çmimin”, ka thënë Avdimetaj.

Shuma prej 600 mijë eurosh, sa thotë Avdimetaj se mund të kushtojë kjo çerdhe, është oferta më e ulët në tenderin e shpallur nga Komuna, i cili aktualisht gjendet në fazën e vlerësimit të ofertave.

“Në këtë tender vlera e planifikuar për të realizuar këtë projekt ka qenë 956 mijë euro. Ndërsa oferta më e ulët është 600 mijë euro, a oferta më e lartë është 928 mijë euro”, ka thënë Xhemë Berisha, menaxher i Zyrës së Prokurimit.

Për projektin e çerdhes dhe koston e lartë të saj KOHA ka kontaktuar edhe tri subjektet e opozitare dhe të zëshmen Kuvendin Komunal të Pejës; AAK, LVV dhe Alternativa, por që nuk kishin njohuri për projektin.

Në Pejë është vetëm një çerdhe publike me dy objekte të saj, në dy lokacione të ndryshme, dhe pesë çerdhe private të licencuara.