Me stres e frikë thonë se janë duke i jetuar ditët e netët banorët e një objekti kolektiv të quajtur Hade e Hade 2 në qytetin e Obiliqit prejse u është dërguar vendimi nga zyrtarët komunalë për t’i liruar ato.
Këta banues, që ishin vendosur këtu në vitin 2007 nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tre vjet pasi ishin larguar dhunshëm nga trojet e tyre në fshatin Hade për t’iu bërë vend mihjeve të reja të thëngjillit nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), thonë se nuk kanë ku të shkojnë nëse Komuna e Obiliqit e zbaton vendimin e saj për t’i larguar nga aty.
Komuna po i konsideron uzurpatorë këta banorë, pasi më 2012, MMPH-ja ua kishte shkëputur kontratat. Ata i kishin bërë dy padi, njërën për largim të dhunshëm nga trojet e tyre dhe tjetrën për shkëputje të kontratave të banesave pa ua dorëzuar trojet në “Haden e re”, që ishte dedikuar për ta, porse deri tash asnjëri nuk ka qenë në favorin e tyre. Njëri prej këtyre banorëve, që deshi të mbetet anonim për shkak të frikës se komunarët mund t’i hakmerren në konkursin që është shpallur për përfitues të të njëjtave banesa, ka thënë se i ka marrë 15 mijë euro për truallin dhe shtëpinë në Hade. Por, për shkak se nuk u janë bërë gati trojet e premtuara në “Haden e re”, në fshatin Shkabaj, këto të holla ka thënë se i ka shpenzuar nëpër spitale për të shëruar veten, prindërit e gruan.
“Në 2004 na kanë shpërngulë prej Hades, në 2007 na kanë vendosë këtu, në 2012 na i kanë shkëputë kontratat. Për tokë na kanë pagu, për troje nuk na i kanë ba gati neve hiç, as trojet as punësimet (në KEK v.j.). Ato të holla që na i kanë dhanë, për mjekim i kam harxhu krejt, me nanë, me babë, bashkëshorten, për veti 15 mijë euro na i kanë dhanë, për gati 15 vjet nga 10 euro me i harxhu në ditë ishin harxhu ato. E jo pa punë, me social e nëpër mjekim”, thotë ai. “Jo, s’kam ku shkoj. Unë as qiranë nuk e përballoj. 102 euro i marrë social. Shpeherë po kemi problem edhe në familje, se të stresuar. Na si të çohemi në sabah kqyrim a po na vijnë knej a anej me na largu. Na veç në pritje jemi. Bën vaki andërr e shohim. Unë jam 4 anëtarë. Unë jam 45 vjet. Sa me hangër e me pi po ia dal, se po më ndihmojnë njerëzit”.
Komuna ka shpallur konkurs për përfitues të këtyre banesave. Ky banor thotë se ka aplikuar në konkursin e parë, por që nuk është përzgjedhur. Njësoj ka vepruar edhe në konkursin e dytë që ende nuk janë shpallur përfituesit. “Konkursi për përzgjedhjen e përfituesve të së drejtës në banim në kompleksin kolektiv Hade dhe Hade 2 është shpallur më dt.26.07.2019 nr.-VI626. Duke u bazuar në listën e përfituesve me nr –VI-694 e dt.28.08.2020, ku gjithsej janë 15 përfitues, që përfshihet kategoria e rasteve sociale. Kategoritë përfituese janë; rastet sociale dhe veteranët e UÇK-së. Momentalisht gjenden 27 banesa të lira në të cilat mund të vendosen përfituesit”, thuhet në përgjigjet me shkrim të Zyrës për informim të Komunës së Obiliqit.
Banorët: S’kemi ku të shkojmë
Arta Maloku është një tjetër banuese në një lokal të këtij objekti kolektiv. Për dallim prej të tjerëve, ajo thotë se familja e burrit e ka uzurpuar këtë lokal, pasi nuk kanë pasur mundësi të bëjnë zgjidhje tjetër të banimit. Ajo thotë se ka konkurruar në konkursin e parë, por se edhe pse janë rast social nuk janë ndër 15 përfituesit e shpallur nga Komuna. “Jetën katastrofë. Jam me djalë të sëmurë me operacion. Kryetarit po i bëj mas pari apel me na ba një zgjidhje, që mos me na lanë rrugëve në këtë pandemi. Nuk dua djali me mu sëmu në këtë pandemi qysh është në këtë gjendje të rëndë. Unë qe 8 vjet jam martu, e këta janë kanë këtu. Djali këtu m’u ka sëmu, jam shku në komunë jam anku, iu kam tregu që gjendja e djalit secilën herë po keqësohet, edhe erdh puna deri në operacion, plus ende e ka gjendjen keq”, shprehet Arta, që pos dy sfungjerave dhe një televizori në tokë, nuk sheh diçka tjetër brenda lokalit ku i kalojnë ditët e netët.
“Këta po donë me më largu prej këtu, e unë nuk kam ku shkoj, iu kam tregu. Ose le të ma bajnë zgjidhjen, le të na qesin naltë në banesa. Jam rast social, burri pa punë, pa shpi, pa tokë, pa kurgjë hiç. Na këtu e kemi uzurpu, se nuk kanë pasë ku me shku. Kam apliku për banesë, kanë thanë 50 për qind kanë me marrë raste sociale, veç 15 banesa i kanë shpërnda, mua nuk më kanë marrë parasysh hiç. As s’kemi tokë, as s’kemi shtëpi. I kemi dëgru letrat në komunë”. Avni Grajçevci është përfaqësues i banorëve të fshatit Hade. Ai thotë se banorët që janë vendosur në këtë objekt kolektiv në Obiliq janë larguar prej fshatit Hade në vitet 2004-2005. Atëkohë, thotë se janë larguar dhunshëm pa u plotësuar kërkesa e punësimit.
Dy javë kishin qëndruar në tenda, derisa institucionet e kishin marrë përsipër pagesën e qirasë derisa t’u jepeshin truallet e reja. “E kemi bërë një padi për mënyrën qysh na kanë largu. Pas dy javë dite u lodhëm për vdekje edhe na i ofruan do kontrata, qysh kemi mujt i kemi pranu. Edhe brenda atyre kontratave u kanë që me na gjetë banesë me qira edhe ma na pagu shteti. Edhe ashtu kemi vepru. Nuk kemi dit në atë kohë sa paguhet. Në atë kohë ka qenë qiraja edhe shujta. Në atë mënyrë kemi qëndru dy vjet, derisa këto banesa për të cilat është problemi janë ndërtu për neve banorët e Hades. Me sa dimë ne Banka Botërore ka nda fond për banorët e Hades edhe shteti ka menaxhu me to. Edhe kur janë ndërtu ato, e kanë ndërpre atë 50 euro të qirasë, edhe na ka obligu me ardh me u vendos në to”, ka nisur të rrëfejë Avni Grajçevci. Krejt këtë përgjegjësi atëkohë thotë se e ka pasur Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Në këto banesa ishin vendosur në vitin 2007. Por, përfaqësuesi i banorëve të fshatit Hade thotë se procesi i dhënies së trojeve është stërgjatë. “Në 2012 është ba shkëputja e kontratave me arsyetimin se trojet janë përfundu. Ata kanë dalë me shkresë që kanë përfundu trojet dhe na e kanë shkëput kontratën e shujtës 42 euro. Ministria është dashtë me ndërtu infrastrukturën komplet me rrymë, ujë e të gjitha, me ua dhanë një afat për me i ndërtu shtëpitë, e atëherë me u shkëput kontrata. Po këtu ka ndodh diçka e pashpjegueshme dhe shumë e pavend. Do të thotë kur kemi dalë në vend të ngjarjes, ara ka qenë e mbjellur me grurë”, thotë Grajçevci.
