Arbëri

Fillon zëvendësimi i gypave të azbestit në tri lagje të Kamenicës

Komuna e Kamenicës pas më shumë se 50 viteve ka filluar projektin për zëvendësimin e gypave të azbestit në lagjet Malësia, Iliria dhe në Berivojcë.

I pari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, e ka konsideruar lajm tejet të mirë ndërrimin e gypave duke thënë se ky problem i kamotshëm për banorët e Kamenicës e tejet i rrezikshëm për shëndetin e qytetarëve tani po merr fund.

“Lajm tejet i mirë për komunën tone. Pas më shumë se 50 viteve, tani po bëjmë zëvendësimin e gypave të Azbestit në lagjen Malësia, Iliria e në Berivojcë. Ky problem i kamotshëm për banorët e Kamenicës e tejet i rrezikshëm për shëndetin e qytetarëve tanë, tani po merr fund. Sipas këtij projekti që ka vlerën rreth 224 mijë euro, përfshihen edhe kyçjet e rrugëve e shtëpive që ndodhen në këto lokalitete”, ka thënë Kastrati.

Kryetari Kastrati ka thënë se ky projekt është i financuar nga Qeveria Zvicerane dhe ajo e Kosovës.

Gypat do të ndërrohen në lagjen Malësia në rrugët “Dëshmorët e Kombit” dhe “Besnik Marovca”, në lagjen Iliria në rrugën “Adem Jashari”, në Berivojcë në rrugën “Bajram Curri”. Shtrirja e këtyre gypave është rreth 4900 m.