Arbëri

Tre laboratorë privatë në Ferizaj të licencuar për teste serologjike, një në pritje të aparaturës PCR

Jeton Zeqiri, drejtor i Spitalit Rajonal në Ferizaj, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se tre laboratorë në Ferizaj janë licencuar për testimet serologjike, derisa ka theksuar se një është në pritje të aparaturës për testime PCR.

Ai ka bërë të ditur se në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt janë të hospitalizuar 56 pacientë, dhe prej tyre 4 pacientë janë në ventilim mekanik, ndërsa 43 pacientë kanë nevojë për mbështetje për oksigjenoterapi dhe terapi protokollare të cilën thotë se janë duke e zbatuar me përpikëri për trajtimin e COVID-19.

“Nga këta pacientë vlen të theksohet se gjashtë pacientë janë në një fazë më kritike. Ndërsa pjesa tjetër e pacientëve qëndrojnë me shëndet mesatarisht të mirë dhe presim që shumë shpejt të lirohen nga spitali dhe të gëzojnë shëndet të mirë”, ka thënë Zeqiri. “Në bazë të informacioneve që unë i kam, sa i përket aspektit privat, në qytetin e Ferizajt kanë fituar licencën tri laboratorë për teste serologjike. Ndërsa është edhe një laborator në pritje të ardhjes së aparaturës PCR në mënyrë që të licencohet edhe për testime me PCR. Ndërsa sa i përket testimit të tashëm është e drejtë ekskluzive e Institutit Epidemiologjik”.

Ai thotë se çdo ditë bëjnë testime të pacientëve që hospitalizohen.

“Ne si spital vetëm i informojmë për pacientët tanë të cilët janë të hospitalizuar dhe në këtë mënyrë ata çdo ditë i janë përgjigjur thirrjes tonë dhe çdo ditë kemi testime të pacientëve tanë të cilët janë të hospitalizuar”, ka thënë ai.