Kosovë

Në Pejë besojnë se ka më shumë të infektuar sesa të dhënat zyrtare të IKSHPK-së

Për ta lehtësuar punën e stafit mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, në të cilin aktualisht janë të shtrirë 73 pacientë me COVID-19, nga java e kaluar pacientë të tjerë të konstatuar me COVID-19 dhe pacientë të dyshuar në bazë të simptomave po marrin terapinë ambulantive të përshkruar nga reparti infektiv dhe i pulmologjisë i këtij spitali, si dhe në ambulancën në fshatin Baran.

Aktualisht, sipas të dhënave, bazuar në testimet e kryera, në Pejë janë rreth 150 raste aktive me COVID-19, por ky numër sipas drejtorit të Shëndetësisë, Petrit Loci, nuk përkon me realitetin, pasi sipas tij në Pejë ka disa herë më shumë pacientë me COVID-19 sesa që i paraqet Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, raporton KOHA.