Kosovë

Për një muaj mbi 20 raste të dhunës në familje në Ferizaj

Për një muaj mbi 20 raste të dhunës në familje në Ferizaj

Pas periudhës së izolimit nga Covid 19 në komunën e Ferizajt janë regjistruar 23 raste të dhunës në familje ndërmjet çifteve bashkëshortore, në të cilat ka intervenuar edhe Qendra për Punë Sociale. Sipas statistikave të regjistruara në këtë institucion, çiftet që kanë përdorur dhunë ndërmjet vete janë kryesisht të rinj.

Adelina Rexhepi-Braha, udhëheqëse e Shërbimeve Sociale në QPS të Ferizajt, ka thënë për KOHËN se të gjitha këto raste janë regjistruar pas lirimit të izolimit nga pandemia. Sipas saj, rastet e dhunës janë në rritje, andaj zyrtarët socialë vazhdimisht po intervenojnë në kohë dhe në mënyrë profesionale, duke stabilizuar situatën në shumicën e rasteve. “Këto raste kanë pasur nevojë për shërbime sociale, pra kanë qenë kryesisht raste të reja dhe çifte të reja bashkëshortore. Kjo ka rrjedhë si pasojë e izolimit nga pandemia, andaj është shumë me rëndësi bashkëbisedimi ndërmjet çifteve bashkëshortore, sepse shumica e tyre nuk e kanë “njohur” njëri-tjetrin dhe ky është shkaktari kryesor i “çrregullimeve martesore”, ka thënë Braha. Sipas saj, për të gjitha rastet janë dhënë shërbime psiko-sociale, pasi që ky institucion ka një staf profesional të të gjitha fushave.