Kosovë

Komuna planifikon funksionalizmin e ambulancës në Haxhaj të Rugovës

Komuna planifikon funksionalizmin e ambulancës në Haxhaj të Rugovës

Megjithëse është shtuar numri i banorëve në fshatrat e Rugovës edhe me hapjen e bizneseve të shumta hoteliere dhe gjithashtu është shumëfishuar numri i turistëve ditorë e shumëditorë, në këtë trevë ende vazhdon të mos ketë mjek, madje as mobil, në asnjërin prej 14 fshatrave të kësaj treve malore. Para luftës Rugova kishte një ambulancë në Kuqishtë, të cilës i janë zhdukur themelet, dhe dy të tjera, njëra në Drelaj dhe tjetra në Haxhaj. Të dy këto objekte janë rindërtuar pasluftës.

Derisa objekti i ambulancës në Drelaj nuk është në gjendje fort të keqe, ajo në Haxhaj është shkatërruar pa punuar edhe një ditë të vetme. Në vitet e pasluftës shërbimi mjekësor ka munguar fare në Rugovë. Në vitin 2009 Komuna kishte dërguar një ekip mjekësor në ambulancën në Drelaj, ku ka qëndruar prej fillimit të majit e deri në fillim të tetorit dhe më nuk kanë dalë. Herën e fundit kur kanë dalë mjekët në Rugovë ka qenë para shtatë vjetësh, kur për tre muaj është dërguar ekipi mobil mjekësor në ambulancën në Drelaj. Në vitin 2013 kur për herë të fundit kanë dalë mjekët në Rugovë, ka qenë në kuadër të një pilot-projekti më qëllim të funksionlizimit të mjekësisë primare. Por siç tregoi drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci, ai projekt kishte dështuar për shkak të numrit të pamjaftueshëm të pacientëve të paraparë për të funksionuar një ambulancë e mjekësisë familjare. Vitet tjera në vijim më në Rugovë nuk ka dalë asnjë mjek, as gjatë sezonit të verës e as të dimrit, edhe pse vitet e fundit Rugova frekuentohet gjatë tërë vitit, për çka edhe janë shpeshtuar kërkesat e banorëve për funksionalizimin e njërës prej ambulancave.