Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi bashkë me zëvendësministren Valdete Bajrami kanë vizituar sot Gjilanin.
Gjatë vizitës, ministrja Dumoshi e z/nj Bajrami kanë zhvilluar takim me kryetarin e Komunës, Lutfi Haziri, i cili u informua për projektet e MKRS-së në këtë komunë.
Me kryetarin Haziri ministrja Dumoshi nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit për festivalin tradicional "Flaka e Janarit" në vlerë prej 20.000.00€.
Ministrja Dumoshi tha se është e gëzuar që po e finalizon një memorandum për të përkrahur këtë manifestim duke shprehur se çfarë e bën edhe më të veçantë është nënshkrimi pikërisht më 2 korrik kur kujtojmë të gjithë ata që kontribuuan për këtë ditë.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se nënshkrimi i memorandumit për financimi i manifestimit “Flaka e Janarit”, tregon kujdesin institucional për këtë qytet, – tha ai.
Gjatë takimit u diskutua edhe për finalizimin e projekteve si Muzeu i Qytetit, Galeria e Qytetit si dhe plani për një fond të veçantë për përkrahjen e punësimit të të rinjve dhe mbështetjen e ndërmarrësve të rinj.
Ministrja Dumoshi dhe kryetari Haziri inspektuan edhe ecurinë e punimet në Stadiumin e Gjilanit i ku investimet janë mbi 9 milionë euro.
Ky stadium sipas standardeve të UEFA-s i takon kategorisë së katërt. Ministrja Dumoshi, tha se si Ministri do të vazhdojnë investimet nëpër stadiume, teksa shtoi se prioritet i tyre është rregullimi i infrastrukturës sportive.
Investimet tjera në Komunën e Gjilanit janë edhe Palestra sportive në Zhegër, e cila kap vlerën e mbi 2 milionë euro, dy fusha të tenisit me vlerë mbi 70.000.00 dhe investimet në Palestrën “Petrit Selishta”, me vlerë mbi 400.000 euro.
Gjatë inspektimit në stadium i pranishëm ishte edhe sekretari i Federatë së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu.