Arbëri

Në Pejë këmbehen pronat komunale me private, opozita e quan “masakër”

Komuna e Pejës po vazhdon me praktikën e këmbimit të pronës publike me private, në emër të realizimit të projekteve rregulluese komunale.

Këtë të martë në rend dite të Kuvendit Komunal ishin 7 këmbime pronash publike me atë private dhe një private e shpallur interes publik.

Mirëpo, kjo ka ngjallur debat derisa opozita e ka quajtur masakër të pronave komunale. Këshilltari i Nismës, madje, në shenjë proteste e ka lëshuar seancën, raporton KOHA.

“Nuk ka seancë që nuk vijnë 7 deri në 10 prona pa u informuar Kuvendi. Është mirë të informohet Kuvendi për projektet që do të kalojnë, në mënyrë që të dihet sa prona private po i prekin ato projekte dhe të bëhet një analizë a kemi më llogari t’i paguajmë ato prona e t’i blejmë, apo si është duke u bërë masakër ndaj pronave të Komunës”, ka thënë Gezon Berisha, këshilltar i Nismës.

Praktikën e këmbimit të pronave komunale me ato private për zbatimin e Planit Zhvillimor Komunal e ka kundërshtuar edhe AAK-ja opozitare në Kuvend.

“Po bëhen shtatë vjet që ka ardhur në qeverisje të Komunës së Pejës. Prej që ka ardhur në pushtet kjo qeverisje, në çdo seancë, përveç në këta tre-katër muajt e fundit, nuk ka seancë që nuk ka së paku nga 3, 4 e deri në dhjetë raste të shpronësimeve apo këmbimeve”, është shprehur këshilltari i AAK-së, Nazmi Krasniqi.

Për zbatimin e Planeve rregulluese urbane dhe atij zhvillimor, Komuna e Pejës ka identifikuar 98 prona private që duhet shpronësuar, por për shkak të pamundësisë buxhetore, kreu i kësaj komune ka preferuar këmbimin e pronave.

“Komunës i duhen nja 10 deri 12 milionë euro shpronësime.

Me buxhetin që e kemi, Komunës i duhen rreth 20 vjet t’i realizojë këto punë. Po mundohem t’ia lehtësoj punën dikujt që vjen pas meje dhe të mos ketë nevojë të merret me shpronësime dhe të ketë një qytet pak ma të mirë që ta menaxhojë”, ka deklaruar kryetari Gazmend Muhaxheri.

Këmbimin dhe shpronësimin e pronave për realizmin e planeve rregulluese dhe të projekteve të ndryshme infrastrukturore, Komuna e Pejës është duke i praktikuar prej vitit 2013, kur udhëhiqet nga Gazmend Muhaxheri.

Për këtë, opozita pati një propozim të çuditshëm për të parin e Komunës.

“Pasi që po flitet se Kosova me Serbinë po donë me ba ndërrim territoresh, e pasi ka marr përvojë shumë të madhe dhe po e quan vetën ekspertë të ndërrimit të pronave, le të shkon dhe të negocion për ndërrimin e Mitrovicës së Veriut me Preshevë, Bujanovc e Medvegjë”, u shpreh Berisha.