Arbëri

Disa lagje në Lipjan ndihen se po diskriminohen nga komuna për shkaqe politike

Rreth një milion euro i kanë mbetur të pashpenzuara ekzekutivit të Komunës së Lipjanit gjatë vitit të kaluar për projekte kapitale.

Kurse, në anën tjetër, banorët në disa zona të kësaj komune ankohen se për shkaqe politike po diskriminohen nga qeverisja lokale e LDK-së.

Banorët e fshatit Bujan kanë thënë se po përballen me mungesë të rrjetit të ujësjellësit, asfaltim të rrugëve, ndriçim publik dhe disa projekte të tjera që, sipas tyre, kërkesat nuk po shqyrtohen asnjëherë nga Komuna.

Agim Buja, banor nga ky fshat, ka thënë se prej marrjes së qeverisjes lokale nga LDK-ja, nuk e kanë përfituar asnjë projekt kapital, pasi që gjithmonë e kanë përkrahur bashkëvendësin e tyre Shukri Buja, i cili në të kaluarën ishte kryetar i Komunës.

Po ashtu edhe një mijë banorë në vendbanimin “Jeta e Re” prej kohësh po kërkojnë asfaltim të rrugicave, rregullimin e kanalizimit, ujësjellësit, ndriçim publik dhe riparimin e objektit të shkollës.

Hyzer Rizani, kryetar i PDK-së në Lipjan, ka thënë se është shqetësuese se si ekzekutivi i Komunës ka dështuar t’i shpenzojë një milion euro për projekte kapitale derisa banorët po përballen me mungesë të infrastrukturës.

Në anën tjetër, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim zëdhënësi i Komunës, Diamant Bytyqi, ka thënë se sivjet do të asfaltohen 8 rrugica në fshatin Bujan dhe rrugicat në lagjen “Jeta e Re”.

Ndërkaq për projektet e tjera, sipas tij, po punohet me dinamikë të shtuar që të përfundojë infrastruktura në të gjitha fshatrat.