Arbëri

Opozita akuzon LDK-në se po i keqpërdor subvencionet komunale për vota

Zyrtarët të partive opozitare në Podujevë, VV e PDK, që janë në garë për të parin e komunës, kanë akuzuar partinë në pushtet, LDK-në, se po i keqpërdor subvencionet komunale për blerjen e votave.

Komuna e Podujevës ka mbetur pa kryetar, prej kur Agim Veliu dha dorëheqjen në javën e parë të shkurtit, për t’u emëruar ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike në Qeverinë Kurti. Edhe pse ka përfunduar fushata dhjetëditore për zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë komunë, mbajtja e tyre që ishte paraparë më 15 mars, është shtyrë për afat të pacaktuar për shkak të pandemisë COVID-19. Ndërkohë, opozitarët në Podujevë thonë se komunarët po i shtyjnë edhe afatet për aplikim për subvencione në këmbim të votave.

“Shtyerja e afatit për aplikim, është ndër publikimet e shpeshta në webfaqen e komunës që nga vendimi për pezullimin e zgjedhjeve në Podujevë. Arsyetimet janë nga më të ndryshimet, por e vërteta është vetëm një, që iu përgjigjet të gjitha anulimeve. Konkurset anulohen dhe shtyhen, varësisht prej kalkulimeve partiake të pushtetarëve”, ka thënë Pajtim Balaj, këshilltar komunal nga radhët e VV-së. Këtë reagim ai e ka bërë pasi më 15 qershor, Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural e ka zgjatur afatin për aplikim në programin për “ushqim të pemëve frutore në formë të lëngut dhe pluhurit”.

“Meqë procesi zgjedhor në Podujevë po vazhdon të shtyhet dhe duke qenë se pushtetarët e LDK-së kanë premtuar shumë pozita e ndihma në këmbim të votës, ata i shtyejnë ku munden dhe i anulojnë në raste të tjera, të gjitha ato konkurse që janë hapur për llogari të fitores së tyre në zgjedhjet lokale”, është shprehur këshilltari i VV-së.

Sipas tij, arsyetimi se kjo po bëhet për shkak të COVID-19 është i pabazë, pasi siç ka thënë, Qeveria e po kësaj partie i ka hequr edhe disa nga masat e fundit të qeverisë së kaluar, sapo ka ardhur në pushtet.

“Madje po të mendohej arsyeshëm dhe për të mirë të qytetarëve, këto procedura në vend të anulimit, do të duhej të përshpejtoheshin për t’i ndihmuar prodhuesit që sa më lehtë e sa më shpejt ta kalojnë krizën. Janë manipulues të dobët. Për 21 vite qeverisje nuk kanë qenë në gjendje me kriju asnjë strategji të re, veç blerje me subvencione, asfalt e punësime me librezë partie”, ka thënë Pajtim Balaj.

Kritika ndaj LDK-së ka adresuar edhe shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, Fatmir Rudari. Sipas tij, këshilltarët e PDK-së në vazhdimësi e kanë ngritur zërin lidhur me keqpërdorimet e subvencioneve nga ana e Komunës.

“Në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal u zhvillua një debat i ashpër lidhur me subvencionimin. Aty u cek ndër të tjera që në 3 serra të subvencionuara nga komuna ishte mbjellur substanca narkotike të llojit kanabis, madje njëra në fshatin Bradash në vendlindjen e ish-kryetarit Agim Veliu. Një çështje tjetër që ne nuk jemi pajtuar aspak është se edhe në ndarjen e pakove ushqimore nuk kishte aspak transparencë. Vet mënyra e ndarjes nëpërmjet kryetarëve të nëndegëve të LDK-së lë për të dyshuar shumë”, ka deklaruar Fatmir Rudari.

Ai thotë se si përfaqësues të PDK-së në Podujevë e kanë votuar propozimin për t’iu ndihmuar personave në nevojë gjatë kohës së pandemisë dhe iu kanë ofruar mbështetje në çdo aspekt.

“Por LDK-ja nuk e përfshiu opozitën në këtë çështje dhe kjo dëshmon më së miri që ka pasur keqpërdorime. Komuna e Podujevës edhe tash së fundi ka filluar që t’i shtyjë afatet për subvencione dhe këtë është duke e bërë pikërisht për shkak se ende nuk po dihet data e saktë e mbajtjes së zgjedhjeve dhe këtë e bënë për të përfituar vota. Këtë metodë e ka përdorur edhe në të kaluarën”, ka theksuar Rudari.

“KOHA” ka kërkuar përgjigje edhe nga zyrtarët komunalë të Podujevës, por nuk ka marrë përgjigje.

Në arsyetimin e DBPZHR-së për shtyrjen e fundit të afatit për aplikim për subvencione thuhet se “duke marrë për bazë situatën në të cilën ndodhemi nga shqetësimet e shpërndarjes COVID-19, ju njoftojmë se afati për programin për ushqim të pemëve frutore në formë të lëngut dhe pluhurit i shpallur më datën 01.06.2020 dhe i paraparë të përfundojë më datën 13.06.2020, shtyhet deri më datën 23.06.2020”.