Arbëri

Ferizaj pas dezinfektimit të objekteve, nis dezinsektimin e hapësirave publike kundër insekteve

Komuna e Ferizajt pas dezinfektimit të institucioneve publike në kohë të pandemisë ka nisur përgatitjet për dezinsektimin e hapësirave publike kundër mushkonjave dhe insekteve të ndryshme. Institucionet komunale kanë kërkuar nga qytetarët që t’i përcjellin njoftimet e komunës për orarin e kryerjes së punimeve me qëllim që bletarët mos të dëmtohen.

Ridvan Berisha, koordinator i inspektoratit, ka thënë se deri tash kanë kryer dezinfektimin e të gjitha objekteve publike, ndërkohë janë duke i bërë përgatitjet për ta dezinfektuar edhe hapësirën publike në gjithë territorin e komunës.

Sipas tij, ky projekt po realizohet me ndërmarrjen e specializuar “Ekologjia” me sistem evropian të DDD-së.

“Deri tash si pikë të referimit për dezinfektimin e objekteve publike e kemi pasur Qendrën e Mjekësisë Familjare, Spitalin Rajonal dhe institucionet tjera si Policinë e Kosovës, Qendrën për Punë Sociale dhe disa të tjera të cilat kanë pasur frekuentim të madh të qytetarëve. Ndërkaq tash brenda pak ditësh do të fillojmë me dezinfektim të hapësirave publike për çka kërkojmë nga bletarët që ta përcjellin orarin e punimeve për secilin vendbanim”, ka thënë Berisha.

Në anën tjetër, Ramadan Gashi pronar i kompanisë “Ekologjia” ka thënë se dezinfektimi i hapësirave publike bëhet nga ekipi i specializuar me platformë dhe sistem të ISO sipas standardeve evropiane të DDD-së.

“Përveç punëve që kemi kryer sipas kontratës me komunën, ne kemi kryer edhe punë vullnetare duke dezinfektuar hapësirat dhe institucionet publike. Po ashtu jemi duke i përgatitur pajisjet që të vazhdojmë këto ditë me dezinfektim të hapësirave publike kundër mushkonjave dhe insekteve të tjera të cilat janë mjaftë të rrezikshme. Në kuadër të këtij shërbimi duhet të kenë kujdes më së shumti bletarët”, ka thënë midis të tjerash Gashi.