Arbëri

Në Pejë, afër tre mijë familje aplikuan për 130-euroshin e pakos emergjente

Përfitimi nga masa numër 15 e pakos emergjente, që kishte dhënë të drejtën e përfitimit në pagesë të asistencës mujore në vlerë prej 130 eurosh për periudhën tremujore prill-qershor për familjet që nuk kanë asnjë të punësuar në sektorin publik dhe privat dhe që nuk pranojnë asnjë pagesë mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës, prej muajit të kaluar e deri të premten më 15 maj kur edhe ka përfunduar afati i aplikimit, kishte shkaktuar një mbingarkesë të punës në Qendrën e Punësimit dhe në Qendrën për Punë Sociale.

Haxhere Turjaka, zyrtare në Qendrën për Punë sociale, tregoi për KOHËN se gjatë periudhës për aplikim, janë dorëzuar 2 mijë e 545 kërkesa të familjeve që kanë deklaruar se nuk kanë asnjë të punësuar dhe që nuk kanë as edhe ndonjë të hyrë tjetër nga buxheti i shtetit.

“Sot e kemi përfunduar pranimin e kërkesave dhe bashkë edhe me 248 kërkesa familjare që na janë dërguar nga Qendra e Punësimit, janë bërë gjithsejtë 2 mijë e 793 kërkesa për këtë asistencë nga masa 15 e pakos emergjente”, tha Turjaka.

Këto 248 kërkesa të pranuara nga Qendra e Punësimit në fakt është dashur të dorëzohen nga kryefamiljarët në Qendrën për Punë Sociale, por duket se jo të gjithë e kanë ditur vendin e dorëzimit të kërkesës dhe Qendra e Punësimit i ka pranuar ato dhe ia ka përcjellë Qendrës për Punë Sociale.

Se nga sa anëtarë janë të përfshirë brenda një kërkese që është dorëzuar në Qendrën për Punë Sociale, nuk i janë nxjerrë ato të dhëna, pasi siç tha Turjaka, kërkesa trajtohet vetëm si kërkesë familjare.

Ky numër që kanë aplikuar për asistencë emergjente, siç tha ajo, nuk përzihet me numrin prej rreth një mijë familjeve të tjera që janë përfituese të asistencës së zakonshme sociale.

Dyfishohet numri i të regjistruarve të papunë

E për të dorëzuar komplet dokumentacionin për këtë asistencë nga pakoja emergjente, njëri prej kushteve ka qenë që anëtarët e familjes mbi moshën 18 vjeçe që janë përfshirë brenda një kërkese familjare, është dashur të jenë të regjistruar në Qendrat e Punësimit për të marrë deklaratën se janë të papunësuar. Kjo nuk ka vlejtur edhe për ata qytetarë të cilët kanë qenë të regjistruar të papunë dhe kanë pasur deklaratë të papunësisë.

Deri para periudhës së pandemisë, konkretisht para se të shpallej masa emergjente muajin e kaluar për të aplikuar si familje për përfitimin për tre muaj nga 130 euro, në Qendrën për Punësim në Pejë, siç thotë drejtori i kësaj qendre, Bajram Ademaj, numri i të papunëve që kanë qenë të regjistruar në Qendrën për Punësim është sjellë prej 5 deri në 6 mijë.