Arbëri

Shërohen të gjithë pacientët me COVID-19 nga Podujeva

Foto: Alban Bujari/ Koha Ditore

Të gjithë pacientët nga Komuna e Podujevës të infektuar me koronavirus janë shëruar plotësisht.

Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, Bedrie Rama, ka thënë se dy pacientët e fundit janë shpallë të shëruar mbrëmjen e së mërkurës pasi kanë rezultuar negativë edhe në ritestimin e dytë.

“Dy prej katër pacientëve që kanë rezultuar pozitivë më 20 prill, ritestimin e parë e kanë bërë para 3 dite (më 4 maj v.j.) dhe kanë rezultuar negativë. Ritestimin e dytë e kanë përsëritë para dy dite, më 5 maj, edhe kanë rezultuar negativë edhe më 5 maj janë shpallë të shëruar. Dy të tjerët ritestimin e parë e kanë bërë më 5 të këtij muaji kanë dalë negativë dhe në ritestimin e dytë më 6 maj, kanë rezultuar negativë prapë, edhe janë shpallë të shëruar edhe këto dy raste. Edhe momentalisht në Podujevë jemi me zero raste me COVID-19”, ka thënë Bedrie Rama.

Sipas saj, dy rastet e para që janë shpallë të shëruar më 5 maj kanë qenë duke banuar në Prishtinë dhe janë familjarë të gjinekologut, i cili më 16 prill kishte rezultuar pozitiv me COVID-19.

Rasti i parë që ka rezultuar pozitiv me COVID-19 në Komunën e Podujevës është 62-vjeçari nga fshati Dumnicë e Epërme. Ai ka ardhur më 5 mars nga Italia, ndërsa pas 10 ditësh (më 15 mars) pas testimit ka dalë pozitiv. Ai është personi i parë në Kosovë që është shëruar plotësisht nga 27 marsi. Por menjëherë pas tij, të infektuar me këtë virus kanë rezultuar edhe prindi i tij 82-vjeçar (më 17 mars) dhe motra 54-vjeçare nga fshati Bradash (më 18 mars). I pari më 22 mars ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive, duke shënuar kështu viktimën e parë në Kosovë nga COVID-19, ndërsa 54-vjeçarja është shëruar më 9 prill. Ndërkohë, më 28 mars, pozitive ka dalë edhe një 31-vjeçare që kishte ardhur nga Italia. Ajo është shëruar pas afro dy javësh. Rasti i pestë (16 prill 2020) me COVID-19 nga kjo komunë është gjinekologu (1969) nga QKUK-ja, i cili kishte pasur kontakt me një paciente në Klinikë që ishte infektuar me koronavirus. Ndërsa një ditë para se ai të dalë pozitiv, më 15 prill, ai kishte punuar në ordinancën e tij në Podujevë dhe kishte qëndruar për disa orë edhe në familjen e tij në fshatin Pollatë. Numri i të infektuarve në Komunën e Podujevës kishte shkuar në nëntë dhe katër personat e fundit pozitivë ishin raste kontakti me këtë punëtor shëndetësor. Pas tij, të infektuar kanë rezultuar dy familjarë të tij nga fshati Pollatë (prindi 1943 dhe vëllai 1976) dhe dy të tjerë nga Podujeva (këta janë shpallë të shëruar më 5 maj); njëra infermiere (1983) e QKMF-së, por që atë ditë ka qenë në cilësinë e pacientes së tij, dhe tjetri teknik i farmacisë (1986) i cili punon në një barnatore afër ordinancës private në Podujevë të mjekut të infektuar (të shëruarit e fundit, më 6 maj). Më 27 maj kishin dalë pozitivë edhe dy persona tjerë, një 16 vjeçar dhe një 58 vjeçare, por epidemiologia Bedrie Rama dyshon se për këta dy persona ishin bërë gabime në testimin e parë, pasi menjëherë pas ritestimeve kanë rezultuar negativë. Ajo thotë se këta dy persona nuk duhet të figurojnë si të infektuar me koronavirus dhe sipas saj, Podujeva i ka gjithsej 9 raste dhe jo 11.

“Kanë figuruar në listat e IKSHP-së edhe dy personat tjerë, po ne e kemi demantua, se jemi të njoftuar për 9 raste. Kanë rezultuar pozitivë me 27, mirëpo për shkaqe vërtetimi vetë IKSHP-ja e ka bërë ritestimin e dy pacientëve edhe kanë rezultuar negativë edhe janë shpallë negativë. Nuk e di nëse në listat e IKSHP-së edhe këta dy persona figurojnë si të infektuar. Mirëpo, ne nuk i llogarisim që kanë qenë të infektuar”, ka thënë Rama.