Arbëri

Autoritetet vlerësojnë se një shtëpi në Cernicë u dogj nga pakujdesia, Haziri e Jevtiq dënojnë aktin

Të martën në fshatin Cernicë të komunës së Gjilanit një shtëpi e pabanuar është përfshirë nga flakët dhe për shuarjen e zjarrit kanë intervenuar njësia e zjarrfikësve. Në këtë shtëpi janë shënuar disa dëme materiale. Zyrtarët të cilët merren me analizimin e shkaqeve të zjarrit kanë konstatuar se ky rast ka të bëjë me zjarrvënie nga pakujdesia dhe jo zjarrvënie të qëllimshme. Teksa policia po heton rastin, kryetari i komunës dhe ministri për Kthim kanë dënuar aktin.

Pushteti komunal në Gjilan ka dënuar aktin e dëmtimit të pronës private gjersa është zotuar se do të kompensohet pronari për dëmet që i janë shkaktuar. Ndërkaq pronari i shtëpisë i cili është pjesëtar i nacionaliteti serb nuk jeton në Kosovë. Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri nuk ka pritur përfundimin e hetimeve të cilat realizohen nga policia por ka konkluduar se dhunimi i pronës në fshatin Cernicë është kryer nga disa të rinj të cilët kanë shfrytëzuar këtë shtëpi për të zhvilluar ndeja të argëtimit dhe se zjarri kishte ndodhur nga pakujdesia.

“Mbrëmë nga njësitë e zjarrfikësve dhe policisë jemi njoftuar për djegien e një shtëpie të pabanuar në fshatin Cernicë. Shtëpia e pabanuar është e pronë e Svetozar Cvetkovic, bashkëqytetar i joni i cili nuk jeton në fshatin Cernicë. Pakujdesia ka ardhur nga thyerja dhe hyrja e dhunshme e disa të rinjve në këtë shtëpi për të shfrytëzuar për nevojat e tyre private personale dhe të panjohura për ne. Dëmi i shkaktuar do të vlerësohet pronari i shtëpisë do të zhdëmtohet dhe ata që kanë thyer dhe kanë hyrë në këtë shtëpi do të dënohen. Dënojmë aktin si të tillë është e patolerueshme të dhunoht prona e dikujt. Është e patolerueshme me hy në shtëpi të huaj dhe të organizohen ‘party’ e ndeja private jashtë dijes së prindërve. Rasti do të zbardhet dhe do të publikohet në tërësi edhe ata që kanë hyrë do të përgjigjen para ligjit”, ka thënë Haziri në konferencën për shtyp që është mbajtur sot, raporton KOHA.

Ndërkaq ministri për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq i cili është pjesë e Listës Serbe ka deklaruar se në Kosovë ka orkestrim të sulmeve ndaj pronave të serbëve dhe se institucionet e Kosovës nuk janë duke i dënuar këto sulme të cilat po kryhen nga “ekstremistët”. “Fshati Novake afër Prizrenit, Babin Most afër Obiliqit, Crkolez afër Istogut, Rahoveci dhe Cernica afër Gjilanit ishin në shënjestër të ekstremistëve. Dhuna ndaj pronave të serbëve dhe komuniteteve të tjera jo-shumicë në Kosovë duhet të pushojë menjëherë”, ka thënë Jevtiq

Ndërkaq nga policia kanë konfirmuar nisjen e hetimeve. Zëdhënësi i Policisë Regjionale në Gjilan, Ismet Hashani deklaron se deri tani nuk është shoqëruar në polici asnjë person në cilësinë e të dyshuarit për zjarrvënie. “Sot e kemi marr informatën dhe kemi dal në vendngjarje dhe ishte një shtëpi e pabanuar nga vitit 2004. Është djeg pjesa e dyshemesë. Për momentin nuk kemi asnjë të dyshuar mirëpo jemi duke punuar në këtë drejtim, jemi në fazën fillestare të hetimeve”, ka thënë Hashani.

Ndërkaq inspektori i parandalimit të zjarrit i cili vepron në kuadër të Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave, Nehat Ibrahimi ka deklaruar se nuk ka pasur zjarrvënie të qëllimshme në këtë shtëpi të pabanuar.

“Është zjarrvënie nga pakujdesia. Bëhet fjalë për një shtëpi e cila është e pabanuar tash e 20 vite. E demoluar dhe brenda nuk ka pasur orendi. Me një dhomë ku dyshohet se ka qëndruar aty dikush e ka ndezur një zjarr në dysheme dhe si rezultat është djegur dyshemeja dhe një pjesë në këtë dhomë. Po të ishte zjarrvënie e qëllimshme do të ishte më ndryshe sepse do ta kishte kallur në të gjitha anët e të gjitha dhomat. Sigurisht se nga pakujdesia ka ndodhur ose nga ndonjë cigare që nuk është fik mirë dhe janë krijuar kushtet dhe është ndez”, ka thënë Ibrahimi.