Zyrtarë të Organizatës gjermane “Help” kanë ndihmuar 119 familje të Lagjes së Dëshmorëve në Ballofc të Podujevës me pako ushqimore e higjienike.
Zyrtarët e kësaj Organizate kanë thënë se kjo është ndihma e parë për këtë muaj dhe se shpresojnë që sadopak t’ua kanë lehtësuar gjendjen ekonomike këtyre banorëve në këtë kohë pandemie.
Adem Sylejmani, zyrtar i lart i terrenit pranë Organizatës gjermane Help, ka thënë se kolegët e tij e kanë identifikuar këtë lagje për të ndihmuar gjatë kësaj kohe emergjente.
“Është përzgjedh lagjja e Dëshmorëve këtu në Komunën e Podujevës ku do të ndihmohen 119 familje me pako ushqimore dhe higjienike të cilat do t’iu shërbejnë për një periudhë të shkurtë, sadopak me ua zbut dhimbjen. Ky është donacion kryesisht i organizatës gjermane ‘Help’ me fonde të veta, por ka diçka edhe prej donatorëve privatë, pra prej firmave private, të cilat kanë dhënë donacion në këtë rast”, ka thënë Adem Sylejmani, raporton KOHA.
Ai ka theksuar se e kanë në plan që të ndihmojnë edhe në Komunën e Mitrovicës dhe atë të Graçanicës.
“Ne e dimë që këto ndihma nuk do të qëndrojnë gjatë, mirëpo sadopak do ta zbus situatën në këtë kohë pandemie, duke e marë parasysh që shumë prej këtyre familjeve këtu kryesisht janë të punësuar si punëtorë krahu, si punëtorë fizikë dhe të gjitha aktivitetet janë ndërprerë për momentin si dhe të ardhurat për këto familje dhe kjo do të jetë një ndihmë e emergjente dhe sadopak do t’ua zbus situatën”, ka deklaruar Sylejmani.
Ndërkohë, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, i ka falënderuar zytarët e kësaj organizate për ndihmën që ua kanë dhënë banorëve të kësaj lagjeje.
“Secila familje në Lagjen e Dëshmorëve do të merr nga një pako ushqimore në vlerë diku përmbi 44 euro dhe vërtetë është një ndihmesë e mirë për këta banorë. Megjithaë, ne nuk do të ndalemi vetëm në këto ndihma. Ne do të fillojmë prej kësaj jave edhe me ndihma që janë të siguruara nga buxheti komunal dhe asnjë familje këtu nuk do të mbetet pa përkujdesje sociale”, ;sht; shprehur Rudari.
Edhe banorët kanë thënë se këto ndihma janë të mirëseardhura në këtë kohë pandemie.
“Organizata gjermane dhe zyrtarët komunalë i sollën një kontigjent të ndihmave për këto familje që janë shumë të nevojshme për këto kohë të izolimit dhe karantinisë nga virusi që po rrezikon edhe e ka përshkuar tërë botën”, ka thënë Ilmi Tahiri, ish-përfaqësues i lagjes.