Arbëri

Podujevasit nuk përfillin masat e institucioneve, shkelin parqet e mbyllura

Masat kufizuese për mosqëndrim në parqe e sheshe nuk po respektohen në Podujevë.

Dy javë prejse Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë vendim për mbylljen e parqeve, qytetarë të shumtë po vazhdojnë të vizitojnë Parkun e Paqes Manchaster.

Shumica prej tyre kanë hyrë edhe brenda zonës së rrethuar me shirit nga Policia e Kosovës, e disa të rinj e kanë shfrytëzuar atë për të bërë një lloj pikniku, raporton KOHA.

Ndërsa ka të tillë që thonë se nuk kanë frikë se mund të infektohen me koronavirus gjatë qëndrimit në park.

KOHA ka bërë përpjekje të kontaktojë nënkryetarin e Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, por ai ka qenë i paqasshëm.

Ndërkohë, Policia e Kosovës nuk ka treguar se pse u lejohet qytetarëve qasja e papenguar në park, por kanë thënë se po ndërmarrin veprimet e duhura për ruajtjen e shëndetit publik.

Tutje, në përgjigje thuhet se, referuar vendimeve, Policia ka vënë shirita sigurues në sheshe, me qëllim të zbatimit të vendimeve mbi ndalimin e grumbullimit dhe shfrytëzimit të shesheve për shëtitje, por jo edhe shfrytëzim/kalim për raste pune.

Deri tash në Komunën e Podujevës janë 4 persona të infektuar me COVID-19. Prej tyre, një 82-vjeçar ka vdekur dhe dy të tjerë janë shëruar.