Arbëri

Komuna e Ferizajt futet në karantinë

Foto: Koha

Pas 18 rasteve me koronavirus në Ferizaj, Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që kjo komunë të futet në karantinë.

Në vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë midis të tjerash thuhet “se komuna e Ferizajt shpallet zonë karantinë pasi që banorët e saj dyshohen që kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me personat e infektuar me koronaviorus”, transmeton KOHA.

“Ndalohen hyrje-daljet në komunën e Ferizajt. Në komunën e Ferizajt ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private prej orës 17:00 deri në ora 06:00 përveç nevojave mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim, barna për njerëz dhe kafshë) dhe për shërbime e aktivitete që ndërlidhen me menaxhimin e epidemisë”, thuhet në vendimin e Ministrisë.

Sipas këtij vendimi lejohet qarkullimi i lirë për operatorët ekonomik të klasifikuar si më të rëndësishëm sipas kodeve NACE që Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike lejon të operojnë në këtë periudhë emergjente.

Ndërkohë edhe komuna e Ferizajt nëpërmjet një komunikate për media ka njoftuar qytetarët e saj se tashmë janë futur në karantinë pas konfirmimit të 18 rasteve me covid 19.

“Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka pranuar sot vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë, përmes së cilës Komuna e Ferizajt shpallet zonë karantinë. Kjo pas 18 rasteve të konfirmuara mbrëmë me Covid-19 që çoi në 20 numrin e ferizajasve të infektuar”, thuhet në komunikatë.